Rreth 130 familje të fshatit Pocestë dhe Klocë në Korçë kanë tre vjet që nuk po marrin paratë nga shitja e duhanit. Dy firma njëra prej tyre Mika Korça dhe firma tjetër e drejtuar nga një person nuk ka shlyer banorët, pasi u kanë marrë duhanin.

Banorët ankohen në Fiks Fare pasi prej tre vitesh askush nuk po u jep një shpjegim nëse do i marrin apo jo paratë e punës së tyre. Dy vite më parë firmat u treguan shumë të rregullta me pagesat, por më vonë ato ‘humbën’. Banorët tregojnë për Fiksin se nuk kanë bërë asnjë ankesë apo kallëzim në prokurori, por presin që shteti të bëjë diçka për ta. Shuma që këto dy firma i detyrohen këtyre banorëve është goxha e madhe duke filluar nga 1 milion deri në 6 milion lekë të vjetra për çdo familje.

Fiksi iu drejtua Prefektit të Korçës për shqetësimin e banorëve dhe vetë prefekti Dhori Spirollari konfirmoi se ky institucion ishte në dijeni të problemit.”Procedurat janë në proces, sepse firmat kanë shpallur falimentin, dhe po e ndjekim në mënyrë të vazhdueshme që banorët të marrin paratë, sepse është një zonë që prodhon shumë, janë shumë punëtor dhe meritojnë të marrin shpërblimin që u takon” pohoi prefekti. Ai gjithashtu siguroi se në bazë të ligjit banorët do marrin atë që u takon edhe pse nuk mund të jetë sipas çmimit të parë, si rrjedhojë e shpalljes së falimentit nga firmat. Në dijeni për problemin e banorëve të Pocestë dhe Klocë është edhe Ministria e Ekonomisë dhe Financave ku sëbashku me Prefekturën Korçë po merren me gjithë procedurën dhe së shpejti banorët do të kenë një përgjigje mbi paratë e pa marra të punës së tyre.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel