“Vuajnë për klikime”/ Halit Valteri ironizon Ramën dhe Bashën në parlament: Le të shkojnë te ‘Përputhen’

03/12/2020 17:59

Si çdo seancë parlamentare edhe e sotmja nuk kaloi pa debate e ironi mes deputetëve.

Ndërsa fliste për shtyrjen e çeljes së negociatave me BE, deputeti i opozitës Halit Valteri ironizoi qeverinë dhe opozitën jashtëparlamentare, deri sa tha se ata vuajnë për klikime dhe më e mira do ishte të ishin pjesëmarrës në emisionin e Top Channel, “Përputhen”, pasi ka 100 milione klikime.

“Në Shqipëri, Rama, Basha, Meta, nuk kanë asnjë interes që Shqipëria të integrohet në BE. Për çfarë do ta dëshirojë Basha, Kryemadhi e Rama integrimin e vendit në BE? Kur dhe për dhembët shkojnë në klinika europiane jashtë. Dimri i dytë erdhi dhe shqiptarët janë ende në çadra. Kurse Rama e Basha vuajnë për klikime. Ftoj zonjën Olsa Muhameti që të ftojë zotin Rama dhe Basha në emision. Ata vuajnë për klikime, dhe ai emision i ka kapur 100 milion klikime.”, -tha deklaroi deputeti i opozitës, Halit Valteri.

Ndër të tjera Valteri tha se vendi ka përfunduar në duart e pak oligarkëve, ndërkohë që vet liderët e partive politike edhe dhëmbët i rregullojnë në klinika europiane jashtë vendit.

“Shqipëria do të jetë për shumë kohë një vend që nuk do të parapëlqehet për investimet e huaja dhe kjo vjen për shkak të mos transparencës në prokurimet publike Kemi ndërtuar një ekonomi që bazohet tek krimi dhe të fortët. Vetëm një grup personash në vend kanë të drejtën të investojnë dhe të reklamohen si biznesmen. Ndaj i shtyhen çdo vit Shqipërisë bisedimet për BE, pasi këta e kanë kthyer vendin si çiflig të tyre. Ata janë njerëzit e vetëm që duan ta mbajnë vendin të izoluar. Të gjitha paratë e shqiptarëve shpërndarjen në 5 duart. S’mund të hapen negociatat për sa janë në krye hajdutët e votave. Europa kërkon që kushtet të plotësohen dhe një prej tyre është që të korruptuarit të çohen para drejtësisë”, theksoi deputeti gjatë fjalës së tij.

Top Channel