
Gjykata Kushtetuese e Kosovës mbajti një seancë dëgjimore lidhur me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për vlerësimin e ligjshmërisë së pjesëmarrjes në votim të deputetit Etem Arifi, i cili ishte i dënuar me 1 vjet e 3 muaj heqje lirie për “mashtrim me subvencione”. Deputeti Arifi, në prill të vitit 2018, u dënua me dy vjet burg, për përvetësimin e rreth 26 mijë eurove.
Dënimi i tij, ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit, që e uli dënimin në një vit e tre muaj. Sipas Kushtetutës së Kosovës, mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, nëse dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim.
Por, me gjithë dënimin e formës së prerë, Arifi votoi në dy seanca të rëndësishme të parlamentit të Kosovës, meqë gjykata i miratoi dy kërkesat e tij për shtyrje të ekzekutimit të dënimit për, siç thuhej, shkaqe shëndetësore. Në seancën e parlamentit më 25 mars ai votoi në mbështetje të mocionit të mosbesimit të ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës që çoi në rrëzimin e qeverisë së drejtuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe në 3 qershor votoi në favor të ngritjes së qeverisë së re te Avdullah Hotit.
Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se pjesëmarrja e Etem Arifi në seancë dhe votimi i tij, siç thuhet si votë përcaktuese, e bën qeverinë e kryeministrit Avdullah Hoti të paligjshme. Por, avokati Besnik Berisha, që përfaqëson qeverinë e Kosovës, tha se deputeti Etem Arifi është dënuar gjatë legjislaturës së kaluar dhe kësisoj nuk mund t’i merret mandati nga parlamenti.Drejtori i Instituti të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj i tha Zërit të Amerikës se nga praktikat e ndërtuara deri tani, do të jetë vështirë që Gjykata Kushtetuese të shpallë të pavlefshme votën e deputetit Arifi.
Miftaraj tha se në rast se Gjykata Kushtetuese vendos në favor të kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje atëherë i gjithë procesi i formimit të qeverisë do të kthehej në pikën zero.
Top Channel