Një komentues i njohur rus i rrjetit YouTube është arrestuar për një transmetim çnjerëzor direkt në rrjet, gjatë të cilit e dashura e tij shtatzënë vdiq prej abuzimeve të partnerit.
I nxitur nga ‘audienca’ e tij online, Stas Reeflay besohet se ka detyruar Valentina Grigoryeva të qëndrojë në ballkonin e apartamentit në temperatura nën zero vetëm me të brendshme.
30 vjeçari Reeflay, ishte paguar nga një prej shikuesve $1,000 për të abuzuar me të dashurën e tij gjatë transmetimit direkt, sipas raportimeve të rrjetit Baza.
28 vjeçarja tragjike Valentina, e cila ishte në fazat e hershme të shtatzanisë vdiq nga i ftohti në shtëpinë e tyre të marrë me qera në fshatin Ivanovka pranë Moskës.
Vdekja e saj shokuese ka shtuar thirrjet në Rusi për ndalimin e shfaqjeve perverse online ose të njohura ndryshe si “dhunë reality TV”, e cila është deri tani e pakufizuar në YouTube dhe mund të shihet edhe nga fëmijët.
Reeflay – emri i vërtetë i të cilit është Stanislav Reshetnikov – vazhdonte të transmetonte në YouTube edhe kur e kuptoi se Valentina ishte “gjysmë e vdekur”.
Në pamjet tashmë të ndaluara në rrjet, ai shihet që e merr atë për ta futur përsëri në apartament, duke tentuar ta sjellë në jetë.
Ai dëgjohet që thotë: “Valia, je gjallë? Lepurushe, ç’të ka ndodhur?
“Valia, Valia, e marrtë dreqi, dukesh si e vdekur”.
Më pas ai kthehet nga shikuesit e tij dhe u thotë: “Djema… nuk ka puls… është e zbehtë, nuk merr frymë.”
Trasmetimi i tmerrshëm i ndjekur nga mijëra shikues, vazhdonte edhe pasi ai thirri ambulancën.
Ai dëgjohet që thoshte: “Zgjohu, Valia, të dua, zgjohu.”
Kamera vijonte të xhironte kur erdhën mjekët e ambulancës dhe e deklaruan vajzën të vdekur. Transmetimi kishte vazhduar deri një orë më vonë.
Reeflay thotë se fiton para online nga “donacionet” e audiencës së tij ruse dhe ndërkombëtare.
Në një nga transmetimet e mëparshme ai e kishte bërë Valentinën objektiv të goditjes me spraj djegës vetëmbrojtjeje.
Një mike e vajzës së vdekur tha se të gjitha transmetimet e tij ishin të mbushura me mizori ndaj saj.
Reshetnikov përballet tashmë me dy vjet burg nëse provohet se veprimet e tij kanë shkaktuar vdekjen e të dashurës.
Aktivistja feministe Liza Lazerson fajësoi rrjetin YouTube për hipokrizinë e ndalimit të imazheve të gjokseve të zhveshura të femrave, por lejon “pa probleme” dhunën e mizorinë ndaj grave.
Ajo tha: “Një vajzë vdes në transmetim direkt .. audienca dërgon donacione për vrasësin. Video të tilla transmetohen lirisht për të gjithë botën, diçka vërtet është rrënuar”.
Top Channel