Izraeli kthen $1 miliardë para taksash për Autoritetin Palestinez

03/12/2020 19:58

Lëvizja vjen pas gjashtë muaj bllokade mes dy entiteteve, prej planeve të Izraelit për të vazhduar aneksimet e tokave në Bregun Perëndimor.

Sipas marrëveshjes së paqes së Oslos, Izraeli mbledh taksat dhe tarifa të tjera shtetërore për llogari të Autoritetit Palestinez (AP), por rrallëherë i kthen ato te autoritetet vendase.

Dje Izraeli pranoi kthimin e rreth 1 miliardë dollarë të taksave dhe tarifave doganore, të cilat janë nga burimet e pakta të të ardhurave të Autoritetit, me të cilat administrohen disa pjesë të Bregut Perëndimor, ku rendi ruhet përsëri nga ushtria e Izraelit.

Rrogat e dhjetra mijëra punonjësve të administratës palestineze ishin përgjysmuar që prej nisjes së bllokadës, duke përkeqësuar krizën ekonomike të shkaktuar mes të tjerash nga pandemia e koronavirusit.

Dy palët rinisën kontaktet muajin e kaluar pas fitores së Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të SHBA.

Biden ka kundërshtuar më parë aneksimet izraelite në Palestinë dhe pritet që në mandatin e tij të shtojë përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit më të rëndë të Lindjes së Mesme.

Zëdhënesi i presidentit palestinez Mahmoud Abbas, Hussein al-Sheikh, konfirmoi se autoriteti kishte marrë 3.8 miliardë shekel izraelitë (rreth $1.1 miliardë) për të cilat ministria izraelite e financave tha se ishin transferuar me miratimin e Kabinetit të Sigurisë së Izraelit.

Tel Avivi tha se do të mbante nga shumat e mbledhura, paratë me të cilat Autoriteti Palestinez zakonisht dëmshpërblen familjet e personave të burgosur ose të vrarë në konflikt, duke përfshirë militantë të përfshirë në sulme kundër Izraelit. (DW)

FOTO GALERI
1/3
BE denoi vendimin e Izraelit për avancimin e planeve për ndërtimin e njësive të reja të banimit në tokat e pushtuara palestineze

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA