Investimi në turizëm, Murrizi: Familjet shqiptare janë në limit të jetesës, ju mendoni për ‘jetëzim të veprave’

03/12/2020 12:08
Deputeti Myslim Murrizi

Deputeti Myslim Murrizi ka kundërshtuar investimin që do të bëhet në vendet turistike si Bylis, Apolloni apo parkun e Tomorit, duke theksuar se nuk duhet të realizohet në këtë kohë.

Sipas tij familjet shqiptare po kalojnë vuajtje, kurse qeveria mendon për të investuar në jetëzimin e veprave të artit.

“Janë dy marrëveshje që merren 75 mln euro, 60 në marrëveshjen e parë 15 në të dytën e 40 grante. Ajo që unë vërej edhe çuditem është mënyra se si kolegë socialistë e quajnë arritje dhe kur e dëgjoj them se i hëngrët mortja qeveritë evropiane që nuk vijnë të marrin shembull nga mënyra se si ne po e menaxhojmë situatën që nuk po mbrojmë vetëm veten tonë por edhe rajonin. 100 mln euro do të merren për 4 bashki dhe kur dëgjoj që në kohë qameti paskeni mend për të rehabilituar Bylisin, Apoloninë që do të ishte shumë mirë por në një kohë tjetër, por ata kujtohen sot disa muaj para zgjedhjeve duke u mburrur por në kohën që jetojmë ato janë rrush e kumbulla e buzëkuqe, më duket jo normale në këtë kohë. Shumë mirë që duartrokisni për bluzat e bardha, por sikur duartrokitjet t’i kishin konvertuar në paga reale, por më erdhi për të qeshur kur tha se do u risim pagat laboranteve, kujt atij që ke dhënë me koncesion? Shoh edhe një teatër të lezetshëm se paskeni bërë. Një nga PPP e famshme që keni akuzuar Berishën bashkë me fëmijët e tij mësova se e keni anuluar dhe në datë 31 e do t‘ia jepni Blendit, është një kontratë që i ka mbaruar afati që në gusht, keni pritur një vit për darovitje, si para të marra për të zgjidhur fatet e fatkeqëve,  janë para që do ë shkuakan për jetëzim të veprave të artit dhe një farë rikonstruksioni të kësaj kulture të lënë në harrese ndër vite ku shumë prej familjeve shqiptare janë në limit të jetesës e nëse shkohet në një mbyllje të ndyrë ata do të jenë ku thërret qameti, mos merrni borxh në emër të shqiptarëve për të ngrohur xhepat e 4 zyrtarëve”, tha Murrizi.

Top Channel