“Dy standarde”/ Partia Republikane do dërgojë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për ndalimin e aktiviteteve dhe tubimeve politike

03/12/2020 11:30

Partia Republikane do dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën e Komitetit të Ekspertëve për zgjatjen e masave antiCovid, duke përfshirë këtu dhe ndalimin e aktiviteteve dhe tubimeve politike. 

Sipas republikanëve, Komiteti i Eksperteve po vepron me dy standard, pasi lejon aktivitetet qeveritare dhe grumbullimin e Parlamentit, ndërsa nga ana tjetër ndalon aktivitet politike elektorale  të opozitës. Rasti më flagrant sipas Partisë Republikane është letra e kryetarit të Kuvendit dhe kthimi i përgjigjes nga zëvendësministrja, ku u thotë partive politike që nuk mund të bëni aktivitet politik dhe nga ana tjetër i thotë kryetarit të Kuvendit, ju mund të zhvilloni sa herë të doni seancë, mjafton që të respektoni disa rregulla.

Republikanët shohin pas vendimit të ekspertëve një qëllim politik, ndaj kanë vendosur t’i drejtohen Kushtetueses, për ta shqyrtuar kur ajo të jetë plotësisht funksionale.

Lexoni më poshtë deklaratën e plotë:

Partia Republikane falenderon me respektin më të madh të gjithë punonjësit e sistemit shëndetësor, që po përballen me Covid-in. Pandemia po cënon jetët e qytetarëve shqiptarë, është një problem jashtëzakonisht i madh, me të cilin duhet të ndeshemi të gjithë si shoqëri, si individ, si institucione shtetërore dhe  si politikë. Kushtetuta nuk është shkruar për të kufizuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Kushtetuta është shkruar për të kufizuar autoritetin dhe abuzimin e qeverisë dhe për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e qytetarëve, liritë e tyre personale, liritë politike dhe liritë fetare.

Kushtetuta duhet t’i garantojë ato dhe në momentin e cënimit, në rastet emergjente, duhet të ketë një ndërhyrje në mënyrë proporcionale dhe ajo duhet të garantojë përsëri barazinë përballë ligjit.

Ne shohim standard krejt tjetër konkretisht me qeverinë, me Parlamentin, me institucionet e lidhura me qeverinë, duket qartësisht një pabarazi në aktivitetin politik të qeverisë, të instrumenteve që ka qeveria, të institucioneve që ka qeveria, të pushtetit qendror, të pushtetit lokal, të Parlamentit, në raport me opozitën dhe aktivitetin e saj politik. Në prag të fushatës elektorale, siç është vepruar në mënyrë të njëanshme në ndryshimin e Kushtetutës, në mënyrë të njëanshme në ndryshimin e Kodit, kërkohet që të imponohet në shoqërinë shqiptare sot, pamundësia për të zhvilluar aktivitet politik.”

Më tej vazhdon:

“Rasti me letrën e kryetarit të Kuvendit dhe kthimi i përgjigjes nga zv/ministrja është rasti më flagrant, ku i thotë partive politike që nuk mund të bëni aktivitet politik, dhe nga ana tjetër i thotë kryetarit të Kuvendit, ju mund të zhvilloni sa herë të doni seancë, mjafton që të respektoni disa rregulla.

Pyetja është: Pse Parlamenti dhe kryetari i Parlamentit, apo deputetët, duhet të zbatojnë disa rregulla dhe qytetarët shqiptarë duhet të zbatojnë disa rregulla të tjera? Si kryetari i Parlamentit, si deputetët, si partitë politike, qytetarët përballë ligjit dhe përballë Kushtetutës janë të barabartë.”.

Për ta përmbyllur me:

“Pra cënimi duhet të jetë i tillë që duhet të efektojë  në mënyrë të barabartë gjithësecilin. Mbas kësaj  fshihet një qëllim i padiskutueshëm politik, kërkohet që përveç manipulimit ligjor, kushtetues që i është bërë Kodit Zgjedhor, interferimit të grupeve korruptive dhe kriminale, qartësisht kërkohet që të mos krijohet mundësia e komunikimit të drejtpërdrejtë të qytetarëve me politikën, për të ndërtuar një marrëdhënie, sepse rruga e vetme që ka opozita për t`u ndeshur me këtë regjim, është komunikimi në çdo skaj të Shqipërisë, me të gjithë qytetarët, për t`i dëgjuar dhe komunikuar me ta, për të ndërtuar një raport shprese dhe besimi, dhe për të bërë të mundur ndryshimin e këtij realiteti, që është i papranueshëm, si nga BE dhe nga të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare. Prandaj mendoj që kjo është shumë e rëndësishme që ne ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese”.

Top Channel