Berlini, përpjekje për negociatat/ Diskutime për miratimin e kornizës me Shqipërinë, pavarësisht problemit me Maqedoninë e Veriut

03/12/2020 01:23

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme gjermane, Maria Adebahr deklaroi në konferencën e rregullt në Berlin se po punojmë me intensitet të plotë për çeljen sa më shpejt të negociatave.

“Këshilli i BE-së tha në mars të këtij viti që të fillojnë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë, dhe qëllimi ynë mbetet që të fillojmë sa më shpejt me këto negociata.

Ne jemi të mendimit se Bashkimi Europian ka dhënë fjalën dhe këtu kemi të bëjmë me besueshmërinë e BE-së dhe me stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, kështu që ajo që di unë deri tani është se ende po bëhen konsulta intensive në Bruksel dhe në nivelin bilateral në vendet anëtare dhe se këto vazhdojnë. Ne nuk po dorëzohemi dhe duhet të arrijmë përparime”, u shpreh Adebahr e cituar nga DW. Ajo nuk tha nëse do të miratohet kuadri negociues me Shqipërinë, por theksoi se dëshira është që bisedimet të nisin sa më shpejt.

Qarqe diplomatike nga Berlini, i thanë DW se aktualisht po bëhet një përpjekje që të miratohet së paku korniza negociuese me Shqipërinë, pavarësisht nëse do të arrihet një kompromis mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Kjo është një ide e sekretariatit të Këshillit të BE-së, e cila mbështetet edhe nga Gjermania. Por qarqet thanë se ka një sërë vendesh skeptike ndaj këtij propozimi.

Top Channel