Komiteti Teknik i Ekspertëve

Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi ditën e sotme që të mos ketë masa të reja të pandemisë së COVID në vend.

Shefja e Inteligjencës Epidemike në ISHP Eugena Tomini tha se gjatë kësaj jave infektimi është ulur me 1.2 prej masave të vëna, të cilat kanë ndikuar në vend.

“Infektimi në këtë kohë ku kanë qenë masat ka qenë 1.2 herë më ulët, qarku që mban peshën më të madhe është Tirana, i ndjekur më pas nga Gjirokastra dhe Lezha. Vazhdon të jetë i lartë niveli i riskut, java e fundit ka treguar një ndikim dhe po përvijohet të vlerësohet situata”, tha Tomini.

Zëvendës ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli theksoi se masat do të jenë po ato që kanë qenë dhe pa asnjë afat deri në një urdhër të dytë nga komiteti.

“Kufizimi i lëvizjes do të jetë sërish nga ora 22:00 – 06:00 në të gjithë vendin, me përjashtim të lëvizjes për motive pune, emergjenca shëndetësore apo nevoja të domosdoshme. Ndalohet grumbullimi mbi 10 persona në vende të hapura dhe të mbyllura.  Ndalohen aktivitetet e bareve – restoranteve nga ora 22:00 – 06:00 (përveç shërbimit delivery). Smart-working për administratën publike (sipas specifikës së sektorit) në zbatim të protokolleve të sigurisë. Përjashtim bëjnë strukturat ofruese të shërbimeve duke zbatuar protokollet e sigurisë. Këto masa do të hyjnë në fuqi ditën e mërkurë në 11 Nëntor dhe do të zgjasin deri në 3 javë. Masat do të rishikohen çdo javë në varësi të situatës dhe dinamikës së ngjarjeve”, tha Mira Rakacolli.

Në lidhje me fshehjen e viktimave të covid, mjeku Tritan Kalo tha se nuk mund të ndërhyhet në diagnozën apo shkakun e vdekjes së një  pacienti të prekur me COVID dhe se në lidhje me këtë problematikë po krijohet një tymnajë.

“Nëse një i sëmurë me covid përkeqësohet e ndërron jetë nuk ka asnjë ndërhyrje për ndryshimin e diagnozës apo shkakut të vdekjes, problematikat krijojnë një tymnajë, mjekët, infermierët apo sanitarët në spital bëjnë një sakrificë maksimale, vënë jetën e tyre në rrezik për të shpëtuar jetën  e të tjerëve”, tha Kalo.

 

 

Top Channel