I verbri që paguan dy fatura energjie/ Familja nga Roskoveci thotë se me ata po abuzohet

02/12/2020 12:29

Engjëllush Hoxha nga fshati Vidhisht i Roskovecit që prej vitit 2015 i paguan OSHEE 1 mijë lekë më shumë në muaj, përveç faturës mujore të energjisë elektrike që ai harxhon.

Këtë borxh ai duhet ta shlyeje deri ne vitin 2025 pasi në dhjetor të vitit 2011 familja e tij, sipas OSHEE ka konsumuar 4 mijë kilovat (ose 600 mijë lekë) energji elektrike për 6 ditë.  Për ketë mbifaturim në emër të tij por me një tjetër numër matësi, ai ka zhvilluar disa procese gjyqësore, të cilat i ka fituar. Bashkë me vendimin e gjyqit është paraqitur disa herë në zyrat e OSHEE, por nuk ka gjetur zgjidhje. Madje ai thotë se është keqtrajtuar për shkak të problemit shëndetësor që ka pasi është i verbër.

Familja e Engjëllushit përbëhet nga 5 anëtarë dhe jeton vetëm me pensionin e invaliditetit prej 24 mijë lekësh të reja që ai përfiton. Nëna e tij thotë se është abuzuar me fatkeqësinë e djalit te saj dhe prej disa vitesh nuk po gjejnë zgjidhje.

E ndodhur përballë kësaj situate, familja Hoxha kërkon zgjidhje nga instancat shtetërore pasi nuk mund ta përballoje këtë pagese, e cila sipas aktmarrëveshjes përfundon në nëntor te vitit 2025.

OSHEE ka reaguar në lidhje me rastin e zotit Hoxha, duke theksuar se janë kryer të gjitha verifikimet në terren. Në lidhje me pretendimin se paguan dy fatura njëherësh, ata sqarojnë sa ka ndodhur kur u ndërrua matësi: pra 1 faturë e gjendjes së matësit të vjetër, dhe 1 faturë e matësit të ri, që përkojnë të dyja me konsumin e 1 muaji.

Njoftimi i OSHEE-së:

Për rastin “Engjellush Hoxha”, i cili pretendon për neglizhence të punonjësit të OSHEE për faturim jo korrekt, sqarojmë se: Janë kryer të gjitha verifikimet në terren dhe rezulton se leximet kanë kryer konform procedurës, me foto përkatës të matësit. Abonenti është ankuar edhe për faturën e muajit korrik 2020, por rezulton se konsumin e ka real, bazuar mbi regjistrimin në matës, sipas fotos. Abonenti kërkoi të zëvendësonte matësit, kërkesë kjo që u mor parasysh nga kompania, duke i vendosur një të ri, por serish abonenti pretendon për konsum të lartë. Në lidhje me pretendimin se paguan dy fatura njëherësh, sqarojmë sa ka ndodhur kur u ndërrua matësi: pra 1 faturë e gjendjes së matësit të vjetër, dhe 1 faturë e matësit të ri, që përkojnë të dyja me konsumin e 1 muaji. Ne lidhje me detyrimin e vitit 2011, sqarojmë se abonentit i është hequr në 2017. Sa më lart, për të gjitha çështjet, ankesat dhe kërkesat, abonenti është sqaruar dhe ka marrë zgjidhje nga strukturat rajonale të OSSH Fier.

Top Channel