Situata e pandemisë ka implementuar një metodë të re mësimdhënie. Siç është thënë më herët, fëmijët në ciklin fillor, pra nga klasa e 1 deri në të 5-ën, do të zhvillojnë mësimin në ambientet fizike të shkollave.
Ndërkohë nxënësit nga klasa e 6-të e deri në të 11-tën do të bëjnë mësim të alternuar. Në shërbim të nxënësve, Ministria e Arsimit, ka vendosur aplikacionin akademia.al, por ky aplikacion ka pasur probleme të shumta. Një rast i ka mbërritur gazetares së Top Channel, Kristi Gongo. Në foton e siguruar prej saj shihet se si një nxënës nuk mundet të aksesohet në platformën akademia.al. Ndërsa në një foto tjetër, mësuesja i drejtohet nxënësve se platforma akademia ka pasur probleme dhe mësimi do të vijojë siç është bërë më herët –në kohën e karantinës- përmes aplikacionit “Whatsapp”.
Ndërkohë më poshtë do të gjeni të gjithë deklaratën e gazetares Kristi Gongo, e cila shpjegon me detaje metodat e reja të mësimdhënies, por edhe denoncimin e bërë nga nxënësit, prindërit dhe mësuesit.
“Këtë të martë ka nisur mësimi i kombinuar nga e 6-ta deri në klasat e 11-ta, në shkollat kur numri i nxënësve është i lartë dhe situata e përhapjes së virusit është e përkeqësuar. Kemi ndarjen e klasave që është bërë që në fillim të vitit shkollor për shkak të kushteve të pandemisë, ku klasa është ndarë në dy grupe dhe ndarja e dy grupeve do të vijojë edhe sipas dy varianteve. Në javët tek dhe javët çift që do të zhvillojë kjo metodë e mësimdhënies së kombinuar. Në javët tek grupi i parë do të zhvillojë mësimin, dy ditët e para në klasë dhe tre ditët e tjera të javës në shtëpi. Ndërsa në javët çift, grupi i dytë do të zhvillojë mësimin në mënyrën e kundërt, dy ditët e para në shtëpi dhe dy ditët e tjera në klasë.
Duke qenë se muaji dhjetor ka nisur ditën e martë, të dy grupet do të zhvillojnë vetëm nga një ditë, grupi i parë një ditë në klasë dhe grupi i dytë një ditë në shtëpi. Ne kemi kërkuar të dhëna specifike nga Ministria e Arsimit sa është numri i plotë i shkollave që do të zhvillojnë mësimin në mënyrë normale, pasi kemi një përjashtim të kësaj metode mësimdhënie për klasat nga e para deri në klasat e pesta. Klasat e 12-ta, maturantët që do e zhvillojnë mësimin vetëm në mjediset fizike të shkollës dhe në shkollat që numri i nxënësve është i ulët, ku kryesisht është në zonat rurale, Kemi pasur nga ana tjetër një ankesë nga disa prindër të cilët në ditën e parë të mësimit online, thonë se platforma, academia.al nuk ka funksionuar dhe janë detyruar ta zhvillojnë mësimin me metodat e mëparshme, me Whatsapp. Siç mund ta shikoni edhe në foton që më është dërguar kemi një nxënës që është përpjekur t hyjë në platformën akademia.al, por siç e lexoni shkruhet ka ndodhur një problem dhe nxënësi nuk është regjistruar dot për t’u përfshirë në klasën virtual me klasën e tyre. Më tej lexohet se mësuesja u thotë nxënësve në grupin e tyre Whatsapp, ju lutem, duhet ta zhvillojmë këtu mësimin pasi nuk po funksionon platformë akademia”, raportoi Kristi Gongo.
Top Channel