Biznesi po shënon një bum të vërtetë për shitësit e pemëve të vitit të ri në Britaninë e madhe.
Ndërsa çdo vit, në këtë periudhë, njerëzit i drejtohen tregjeve të pemëve të vitit të ri, këtë vit fluksi është akoma më i madh, si një reflektim i dëshirës së njerëzve për ngrohtësi dhe atmosferë festive në kushtet e një pandemie globale.
Pavarësisht nevojës për distancim social dhe dezinfektim duarsh, apo edhe mbylljes së dyqaneve në shumë vende, tregtarët raportojnë shitje më të mëdha pemësh se zakonisht në këtë pikë të sezonit.
Këtë vit, thonë tregtarët duket se të gjithë janë të vendosur të kalojnë festa sa më të gëzueshme dhe po i blejnë madje pemët më herët se zakonisht.
Në Britaninë e madhe, rritësit e bredhave raportojnë rreth 8 milionë pemë të shitura çdo vit. Këtë vit, ata parashikojnë se shifra mund të shkojë në 10 milionë. I gjithë biznesi ka shënuar ndërkohë 24 për qind më shumë shitje nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Dhe në kushtet kur për shumëkënd, ky sezon festiv do të jetë i vetmuar ose me pak njerëz përreth, për shkak të ndalimit të udhëtimeve dhe kufizimeve të ndërmarra për të ndalur përhapjen e koronavirusit, njerëzit po preferojnë gjithnjë e më shumë të kenë aromën e një bredhi natyral në shtëpinë e tyre bashkë me dëshirën e mbylljes së një viti të vështirë dhe fillimit të një viti normal.
Top Channel