Pedagogu i njohur i departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, Artan Fuga bën pjesë tek ata persona që e kanë fituar betejën me COVID-19.
I ftuar në emisionin “Ftesë në 5”, ai tha se virusin e kaloi me simptoma jo shumë të agravuara dhe se përpos situatës së vështirë që po kalon bota, kontakti me virusin e bëri ta shihte botën me të njëjtin sy. Si një person i mirëformuar në fushën filozofike, Fuga tha se infektimi me virus i shërbeu si një eksperiment, rezultati i së cilës tregoi se bota që ne shohim në të vërtetë është brenda nesh. Gjithashtu, profesori i njohur tregoi një shembull me një infeksion në beben e syrit, të cilën e kishte kaluar disa vite më parë.
“Unë kam shumë dëshirë kur për një moment të caktuar më ndodhin shqetësime me shqisat. Më shumë në formimin tim filozofik, sepse më tregon se e gjithë bota që ne shohim është brenda nesh. Nëse unë humb shijen, nuk ka kuptim as kripa, sheqeri. Nëse unë humbas nuhatjen nuk ka kuptim aroma e çajit, e parfumeve. Ata janë si rezultat i transformimeve që i bën personit. Ndoshta një 20 vite më parë kisha një infeksion të bebes së syrit, ku të gjithë vijat e drejta u lakuan. Dhe thashë që rrezja e diellit nuk është e drejtë, syri e shikon si të tillë. Unë mezi u mësova. Kur u shërova e shikoja botën në vijë të drejtë dhe nuk po mësohesha dot. Këto eksperimente më bëjnë të mësojnë filozofinë e para tre shekujve më para, të cilët thonë se çdo gjë që vijnë në mendimet tona në fakt është brenda nesh”, tha Fuga.
Top Channel