Dënohet gjyqtari i vetting-ut/ Luan Daci falsifikoi dokumentet. Për 12 muaj do jetë në shërbim prove

01/12/2020 19:43

Shkalla e dytë e vetting-ut që ka staturën e gjykatës kushtetuese do të vazhdojë të funksionoje e cunguar me vetëm gjashtë anëtarë, pasi i shtati Luan Daci ndonëse u deklarua fajtor gjatë ditës nga gjykata nuk mund të zëvendësohet nga kuvendi pa u shprehur edhe shkalla e dytë.

Gjyqtari i vettingut Luan Daci që u shpall fajtor dhe u dënua nga gjashtë muaj burg në 12 muaj shërbim prove nuk mund t’i nënshtrohet këtij penalizimi derisa gjykata e apelit të flasë me vendim të formës së prerë.

KPA konfirmon për Top Channel se Daci ndërkohë do të ketë statusin e gjyqtarit të pezulluar dhe askush nuk mundet ta shkarkojë nga vettingu pa folur edhe gjykata sipërore.

Por edhe pse u deklarua fajtor për falsifikim të dokumentave Luan Daci këmbëngul se nuk e ka fshehur përjashtimin nga drejtësia në vitin 1997 përderisa gjatë garës për në vetting askush nga komisioni ad hoc nuk e kishte pyetur.

Por për prokurorinë e posaçme SPAK fshehja e të vërtetave gjatë një garë siç është vettingu është falsifikim dokumentash dhe ndaj gjatë shpalljes së pretencës u kërkua nga akuza një vit burgim. Luan Daci dhe avokati i tij pranuan se do ta apelojnë çështjen, e cila më herët përplasi të dyja shkallët e gjyqësorit gjatë fazës së masave personale.

Shkalla e parë gjatë hetimit paraprak vendosi masën e pezullimit nga detyra e gjyqtarit Daci, që u hodh poshtë nga apeli me argumentin se nuk kishte vepër penale.

Top Channel