Tjetër vetëvrasje te “Shefqet Ndroqi”/ Hidhet nga dhoma e spitalit pacienti 60-vjeçar me Covid-19

30/11/2020 15:11

Sapo kishte hyrë data e fundit e nëntorit, kur pas mesnatës në ish-sanatorium, Leonard Shabani, 60-vjeçari nga Kurbini i jep fund jetës duke u hedhur nga lartësia e spitalit.

Historia përsëritet për të pestën herë në më pak se 9 muaj, rasti i katërt ky te “Shefqet Ndroqi”. Vetëm brenda muajit nëntor, dy persona vetëflijohen në spitalet Covid.

60-vjeçari i prekur me koronavirus trajtohej prej dy ditësh në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Pasditen e 28 nëntorit ai u shtrua në pavionin e Urgjencës, ku kreu ekzaminimet e nevojshme, ndërsa në datë 29 nëntor u transferua mbi katin përdhes, nga ku kreu edhe aktin ekstrem të vetëvrasjes.

Masat e sigurisë janë shtuar dhe është siguruar shërbimi i psikologët, reagoi stafi i spitalit, teksa vijoi deklaratën më tej se “lidhur me arsyet që e çuan 60-vjeçarin drejt këtij veprimi ekstrem, është duke u kryer hetimi nga ana e organeve kompetente”.

Mbingarkesa e spitalit Covid2 vërehet nga ambulancat e shumta që rreshtohen para Urgjencës, në pritje që pacientët të marrin trajtimin brenda. Nga ana tjetër, familjarët qëndrojnë jashtë barrierës ndarëse me qese me ushqime dhe numri i tyre është rritur po aq sa rastet e të infektuarve të shtruar.

Top Channel