Policia në Gjermani do të lejohet të lexojë mesazhet e koduara në biseda

30/11/2020 18:27

Pas një debati të gjatë, CDU/CSU dhe SPD ranë dakord për një ligj të ri të Policisë Federale. Ligji i jep Policisë Federale më shumë kompetenca – të tilla si leximi i mesazheve në shërbimet e koduara të mesenxherëve.

Grupet parlamentare të partive unioniste, CDU/CSU dhe SPD ranë dakord për një kompromis për ligjin federal të policisë. Siç mund të shihet në një dokument që përmban çështjet kryesore, Policia Federale do të ketë më shumë kompetenca.

Kjo përfshin, ndër të tjera, monitorimin e diskutueshëm të telekomunikimit në burim – d.m.th. monitorimin e komunikimit të koduar, që regjistrohet para ose pasi të jetë koduar. Kjo mundëson leximin e mesazheve në shërbimet e koduara të bisedave (chat). Të ndaluara mbeten edhe më tej kontrollet përmes internetit dhe dallimi elektronik i fytyrës.

Sipas gazetës, Policia Federale në të ardhmen – “si pasojë e rastit Anis Amri” (atentatit në tregun e Krishtlindjeve në Berlin në dhjetor 2016)  – mund të kryejë vetë ndjekje penale (pra jo të presë t’i kryejë ato policia e landeve) në rast të “qëndrimit të paligjshëm” në Gjermani. Asaj i jepet e drejta të shqiptojë dëbime nga territori shtetëror ose të marrë mostra gjaku. Deri tani, këto i lejoheshin t’i bënte vetëm policia e landeve federale. E re është edhe kompetenca për të trajtuar shkeljet që kanë të bëjnë me përdorimin e dronave ose të treguesve me lazer.

Versioni i mëparshëm i ligjit qe hartuar më 1994

Partitë unioniste dhe SPD diskutuan gjatë për ndryshimin e ligjit aktual, i cili është hartuar në vitin 1994. Ministri Federal i Brendshëm, Horst Seehofer (CSU) fillimisht donte ta paraqiste në pranverë në kabinet ndryshimin e Ligjit të Policisë Federale në kabinet. Në radhë të parë ai synonte zgjerimin kompetencave të nëpunësve të policisë, në mënyrë që ata të jenë në gjendje të reagojnë ndaj rreziqeve të reja me metoda moderne të ndjekjes teknike.

Projekti i parë parashikonte gjithashtu dallim të fytyrës në shkallë të gjerë, të automatizuar, në aeroporte dhe në stacione trenash, por kjo u refuzua nga Ministria e Drejtësisë e drejtuar nga socialdemokraët.

Nënkryetari i grupit parlamentar të partive unioniste, Thorsten Frei tha në “Frankfurter Allgemeine Zeitung” se ishte një shenjë pozitive që grupet parlamentare e arritën marrëveshjen në nivelin parlamentar më pak se një vit para zgjedhjeve të ardhshme federale. Ai foli për një “akt vlerësimi ndaj nëpunësve të policisë”. Nënkryetari i grupit parlamentar të SPD, Dirk Wiese, tha: “Në fund, secila nga palët ishte e gatshme të bënte kompromis, kështu që tani në tryezë kemi një rezultat i mirë për punonjësit e policisë.”/DW/

Top Channel