Përfaqësuesit e qeverisë siriane, udhëheqësit e opozitës dhe shoqërisë civile do të takohen më 30 nëntor në Gjenevë për një raund të ri të bisedimeve të paqes.
“Ne shpresojmë që ajo që kemi arritur është fillimi i ndërtimit të besimit midis palëve”, tha i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Geir Pederson, në prag të bisedimeve.
Ai tha se një çështje kryesore e bisedimeve do të jenë parimet për një kushtetutë të re.
Më shumë se 400.000 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 12 milionë njerëz janë zhvendosur, që kur shpërtheu lufta civile në Siri, pas një goditje ndaj protestuesve antiqeveritarë nga presidenti Sirian Bashar al-Asad në mars të vitit 2011.
Rusia dhe Irani kanë ofruar mbështetjen kryesore për të ndihmuar mbajtjen e Asadit në pushtet, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Turqia kanë mbështetur grupe të ndryshme rebele.
Grupet ekstremiste, duke përfshirë Shtetin Islamik (IS), janë përfshirë gjithashtu në luftime, por kryesisht janë dëbuar nga territori që kishin kapur më parë nga forcat qeveritare.
Bisedimet e ndara të paqes janë ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe nga Rusia dhe Turqia, por luftimet kanë vazhduar.
Top Channel