1 armë zjarri, 19.5 kallëpe tritol, 10 kapsolla detonatore, 20 granata ofensive dhe 20 ndezësa janë sekuestruar në Durrës gjatë një operacioni policor, që solli arrestimin e njeriut që i zotëronte dhe që do t’i shiste kundrejt fitimit.

Bëhet fjalë për N. K., 47 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Drejtimi automjeti në mënyrë të parregullt”.

Shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Mbikalimi i hekurit”, në Sukth, Durrës, kanë ndaluar shtetasin N. K., dhe gjatë kontrollit fizik iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 16 kallëpe tritol dhe 10 kapsolla detonatore, të cilat ky shtetas do i shiste kundrejt fitimit.

Kontrollet kanë vijuar nga DVP Kukës, në banesën e shtetasit N. K., në Kukës, ku shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri, 3.5 kallëpe tritol, 20 granata ofensive dhe 20 ndezësa.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, strukturat hetimore të DVP Durrës po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, kapjen dhe arrestimin e personave të tjerë, të përfshirë në këtë veprimtari.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel