Aborti selektiv me bazë gjinore/ Drejtoresha e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”: Veprim kriminal, duhet të denoncohet

30/11/2020 14:23
Foto ilustruese

Drejtoresha e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë, Eliona Demaliaj në një lidhje me skype në emisionin “Shqipëria Live” ka thënë se në atë institucion nuk ka pasur raste që kanë shkuar për të abortuar për shkak të gjinisë së foshnjës.  

Aborti selektiv sipas saj ka ardhur duke u ulur sepse këtë e tregojnë shifrat e larta të femrave dhe  është e dënueshme me ligj.

“Shtatzënia mund të ndërpritet deri në javën e 12 të shtatzënisë,ndërsa në javën e 22 kur fetusi ka anomali apo nëna rrezikon jetën e vet nga vazhdimi i shtatzënisë. Është e dënueshme me ligj aborti selektiv. Ne jemi të detyruar të denoncojmë, në rast se vjen në spital për shkak të komplikacioneve, por që të kryhen këtu jo. Ligji për abortin i vitit 1995 e përcakton si veprim kriminal, të jashtëligjshëm. Të pasurit djem lidhet me pjesën e të pasurit të pronës, por kjo do të përfundojë kur të krijohet pavarësia e grave në Shqipëri”, tha Demaliaj.

Pastori, Ylli Doçi e ka konsideruar injorancë të pafalshme deri tek arrogancë të neveritshme këtë veprim.

Ndërsa Hatije Ismaili, gjinekologia shqiptare në Slloveni në një lidhje skype me emisionin tha se kanë ndodhur raste të shqiptarëve, të cilët kërkonin që të kishin djalë, në vend të vajzës që prisnin.

Në Slloveni nuk ka pasur kështu rastesh, nuk është e lejuar për shkak të ligjeve. Pas javës së 10 duhet të bëjë një kërkesë dhe i dërgohet komisionit dhe ai e miraton. Ka ndodhur nga shqiptarë, sllovenët edhe mund ta kenë menduar por nuk e kanë shprehur. 92% janë abortet në javën e 10. Arsyet janë për shkak të financave, mosmarrëveshjeve, punësimit, shkollimit, shkaqe shëndetësore”, u shpreh gjinekologia.

Top Channel