Dita e Çlirimit të Shqipërisë, Meta: Asnjë debat për datën, 29 nëntori është fakt historik! Qytetarët të marrin fatet në duart e tyre

29/11/2020 13:01

Kreu i Shtetit, Ilir Meta ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e 67-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë.

Presidenti Meta thekson se në këtë ditë të rëndësishme për vendin, duhet që t’i kushtojmë sërish  shumë vëmendje edukimit patriotik dhe forcimit të ndjenjave të atdhedashurisë tek fëmijët tanë.

Meta thotë se të rinjtë e sotëm, sikurse edhe në atë kohë kanë një detyrë po aq të madhe, por ndryshimi qëndron në faktin se e kanë më të lehtë.

“Një urim të veçantë për të gjithë veteranët, të cilëve ju uroj jetë të gjatë e shëndet të plotë!”, shkruan më tej presidenti.

Postimi i plotë:

Nderim të përjetshëm dhe mirënjohje të thellë për Dëshmorët dhe Heronjtë, të cilët dhanë jetën për Çlirimin e Atdheut, duke kurorëzuar 76 vite më parë, një nga betejat më të mëdha të popullit tonë për rikthimin e Lirisë, Pavarësisë e Sovranitetit të Shqipërisë, që na vendosi njëkohësisht në anën e duhur të historisë dhe Luftës Antifashiste.

Duke u përulur me respekt para Qemal Stafës, Vojo Kushit, Margarita Tutulanit dhe mijëra vajzave e djemve, që u përjetësuan për Shqipërinë, është e rëndësishme t’i kushtojmë sërish sot shumë vëmendje edukimit patriotik dhe forcimit të ndjenjave të atdhedashurisë tek fëmijët tanë.

Nëse bashkëmoshatarët e tyre, 76 apo 80 vite më parë, bënë sakrifica dhe një detyrë jashtëzakonisht të vështirë për vendin tonë, sot të rinjtë e Shqipërisë kanë një detyrë po aq të madhe, por e kanë më të lehtë.

Vetëm duhet të kenë më shumë vetëbesim, angazhim dhe të marrin më shumë përgjegjësi për të ndalur shpopullimin e Shqipërisë, si dhe të bëjnë të mundur që të gjithë ata që kanë ikur, të kthehen në Atdheun e tyre.

Një urim të veçantë për të gjithë veteranët, të cilëve ju uroj jetë të gjatë e shëndet të plotë!

LAVDI DËSHMORËVE TË ATDHEUT!

GËZUAR 76-VJETORIN E ÇLIRIMIT TË SHQIPËRISË!

Top Channel