Është mbajtur në Vlorë, në kushte të pazakonta pandemie, ceremonia e ngritjes së flamurit.
Të pranishëm ishin presidenti i Republikës, Ilir Meta, kryeministri, Edi Rama dhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi. Figurat politike në fjalë vendosën kurora me lule në monumentin e pavarësisë.
Si sot, 108 vjet më parë në Vlorë, përfaqësues të vilajeteve shqiptare shpallën pavarësinë e shtetit shqiptar. Kuvendi Kombëtar i Vlorës, mbledhjen e tij të parë e mbajti më 28 nëntor 1912, me aktin e shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar nga Perandoria Osmane. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte kurorëzim i përpjekjeve shekullore dhe luftërave të pareshtura që bënë shqiptarët për çlirimin e vendit.
Por për fat të keq, Qeveria e Vlorës pati një jetë të shkurtër, pasi për pak më shumë se një vit, ajo u detyrua të tërhiqej dhe t’i lëshonte vend një qeverie të drejtuar nga një princ i huaj, i emëruar nga fuqitë e kohës.
Top Channel