Vaksinohen edukatoret/ Nis procesi në të gjitha kopshtet e çerdhet e Tiranës

27/11/2020 15:10

Tirana është qyteti i parë në vend, i cili nis programin e vaksinimit falas kundër gripit, për të gjitha edukatoret e çerdheve dhe të kopshteve.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministrja e Shëndetësisë ishin në Kopshtin 36, ku u krye vaksinimi i stafit.

“Jam i lumtur që filluam sot këtë garë, për të vaksinuar të gjithë këtë komunitet. Të na gjejë Viti i Ri të kompletuar me këtë vaksinë. Do të thotë, të shfrytëzojmë maksimalisht, sidomos ditët e ngrohta me diell, sa nuk ka ardhur dimri i vërtetë. Ftesa për të gjitha bashkitë e tjera është të ndjekin shembullin e Tiranës dhe të çiftohen me Qendrën Shëndetësore më të afërt, me shërbimin ambulant, që vaksinimi të bëhet te vendi i punës, në çerdhe, kopshte e shkolla; është mënyra më efikase për të evituar radhët”,.

Duke theksuar rëndësinë e vaksinimit kundër gripit në këtë periudhë të mbivendosjes edhe të virozave stinore, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh:

“Edhe 230 mijë doza të vaksinës kundër gripit falas që kanë mbërritur dy ditë më parë janë shpërndarë në qendra shëndetësore, pjesë e sasisë prej 380 mijë vaksinash që qeveria i financoi falas, për të siguruar vaksinimin e sigurt të të moshuarve, të sëmurëve kronikë dhe grupet e tjera të riskut, mes të cilave edhe një kategori e ndjeshme për ne siç janë edukatoret dhe arsimtarët. Është një moment i rëndësishëm për të kujtuar edhe njëherë të gjithë qytetarët që janë në grupet e riskut, për t’u lidhur me mjekun e familjes dhe për të bërë vaksinën kundër gripit falas në qendrën tuaj shëndetësore”.

Top Channel