Udhëheqësi i opozitës ruse, Aleksei Navalni i bëri thirrje Bashkimit Evropian të godasë me sanksione ekonomike oligarkët që kanë lidhje të ngushta me Presidentin Vladimir Putin.
“Nuk ka kuptim t’u vësh sanksione gjeneralëve e kolonelëve apo individëve të tjerë që nuk udhëtojnë shumë,” tha zoti Navalny në komente përmes lidhjes me videokonferencë.
Aktivisti rus argumentoi para anëtarëve të komisionieve të Parlamentit Evropian për marrëdhënie me jashtë nevojën për një strategji të re, duke folur nga Gjermania ku vazhdon të mjekohet pas problemeve shëndetësore që mendohet se u shkaktuan nga helmimi i urdhëruar nga Kremlini.
Ai tha se zyrtarët rusë dhe oficerët ushtarakë, të cilët tradicionalisht shenjestrohen me sanksione “nuk kanë prona të shumta apo llogari bankare në Evropë”.
Brukseli, thekson ai, duhet të godasë individë të rrethit të ngushtë të Presidentit Putin, ndër ta manjatët me jahte e investime në BE.
Qeveritë perëndimore kanë arritur në përfundimin se Navalni u helmua me noviçok, një lëndë helmuese e përdorur nga ushtria që nuk është e lehtë të sigurohet nga individë pa lidhje me shtetin.
Aleksei Navalni u mjekua në një spital të Berlinit dhe vazhdon trajtimin shëndetësor në Gjermani. Helmimi i tij ka acaruar marrëdhëniet mes Moskës dhe qeverive evropiane, sidomos autoriteteve gjermane.
BE-ja ka vendosur masa për të ndaluar hyrjen në vendet e saj si dhe ka ngrirë llogaritë e gjashtë personave që dyshohen se ishin përgjegjës në helmimin e Navalnit, ndër ta edhe kreun e agjencisë ruse të zbulimit, FSB.
Por zoti Navalni tha se do të ishte gabim të identifikohej një motiv politik në veprimet e Moskës, duke shtuar se elita e Moskës është thjesht e interesuar për përfitime ekonomike.
“Shteti rus duhet të trajtohet si një grup kriminelësh, të cilët përkohësisht kanë marrë pushtetin,” tha ai, duke u bërë thirrje politikanëve evropianë të mbështesin popullin rus.
Ai paralajmëroi Bruksesin të mos njohë rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Rusi, duke thënë se pa diskutim që do të jenë të manipuluara./VOA/
Top Channel