Covid 19 merr një tjetër artiste. Lumtur Blloshmi ndërroi jetë në moshën 76 vjeçare.

Artistja bashkëkohore lindi në Tiranë në vitin 1944. Blloshmi përfundoi Liceun Artistik Jordan Misja dhe më pas vijoi studimet në Institutin e Lartë të Arteve nga ku edhe u diplomua në 1968. Ajo e filloi karrierën e saj artistike në prag të ngjarjeve të vështira që artistët përjetuan në Shqipëri përgjatë viteve 1973-1974, ku përveç të tjerëve shumë artistë u burgosën dhe internuan.

Në këtë periudhë ajo pikturoi më së shumti peizazhe dhe portrete,ku edhe i shfaqte në ekspozitat e atëhershme realiste.

Punimet e saj ekspozoheshin rregullisht para ’90, por në vitet 1975- 1985 regjimi ndaloi ekspozitat e punimeve të saj. Edhe më pas, pikturat e saj shpesh ktheheshin për të mos u ekspozuar. Por ajo vazhdoi të punonte më shumë pa u dekurajuar.

Ironia, sarkazma, humori por edhe lumturia nuk mungonte në  pikturat avangardë të Blloshmit. Ajo ka krijuar në të gjitha situatat, pa marrë parasysh edhe ato më të vështirat, duke kundërshtuar realitetin e hidhur me të gjitha forcën  e saj krijuese dhe emocionale.

Në pikturat nudo të Blloshmit, femra, të realizuara në fillim të viteve ’90, duke marrë nuanca kristali dhe mermeri, nuk është e vështirë të dallosh që ajo vetë është modeli perfekt.

Me të njëjtin ritëm pas viteve ’90, ajo ka ekspozuar punimet e saj, por me ndryshimin e vetëm që lidhet me zbatimin e një numri në rritje të ekspozitave personale, në Shqipëri dhe jashtë saj.

Para Lumturi Blloshmit, ka qenë Muharrem Fejzo, Koco Devole e Fatmir Xhelili që humbën jetën prej Covid 19.

Top Channel