Ish-themeluesi i PD-së: Prej kohësh Partia Demokratike nuk ekziston më në Fier, Vlorë, Gjirokastër. Ja arsyet

27/11/2020 17:18

I ftuar në emisionin “Top Talk” për të folur për aktualitetin politik në vend, analisti Frrok Çupi, tha se sipas tij Partia Demokratike ka nisur të përhapet, duke nënkuptuar këtu partitë e vogla e krijuara së fundmi nga ish-eksponentë të saj.

Çupi theksoi se Partia Demokratike nuk shtrihet në të gjithë vendin, ku përmendi disa qytete, kryesisht ato në jug të Shqipërisë. Analisti zbuloi se në Vlorë, Fier, Gjirokastër, Partia Demokratike është e “dobët”, e kjo sipas tij lidhet me të shkuarën qeverisëse. Çupi tregoi se në vitet 96-97’ Partia Demokratike shkaktoi shumë trazira në Vlorë, e sipas tij populli vlonjat, nuk i harron lehtë dinamikat e ndodhura në ato vite.

“Vetë simboli i PD është të hapet partia. Unë hapjen e konsideroj si përhapje. Partia Demokratike nuk është në të gjithë vendin, jo në skeptrin politik. Nuk ka Parti Demokratike në Vlorë, Gjirokastër, në Fier. Si do të ketë PD në Vlorë, ku atje ajo ka bërë gjëmën. Duhen shekuj që ajo të pranohet në Vlorë, ashtu sikur u pranua në fillimet e saj. Vlora është sulmuar me terror, është izoluar nga Partia Demokratike në vitet 96-97’. Unë mendoj që është një pjesë e përhapjes lindja e partive të vogla nga ish-eksponentë të PD-së. Edhe ata do të kenë një filozofi, një fytyrë të re. Partia Demokratike është mbajtur sikur do të rrojë përjetë, ajo po lëshon frymë. Partia Demokratike ishte shumë e egër në pushtet, e dhunshme. Sa më shumë fraksione, hapësirë të ketë në politikë, aq më shumë i shërben demokracisë”, tha Çupi.

Top Channel