Fiks Fare/ Abuzimet e ligjit 7501, kryetari i jep djalit 8000 metër tokë pa qenë banor i fshatit!

27/11/2020 20:48

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së premtes problemet e mëdha me ligjin 7501, ligj i cili ka hapur më shumë probleme sociale, ligjore, por edhe kriminale.

Një banor i fshatit Fitore në ish-komunën Novoselë në Vlorë denoncoi abuzimet e ndarjes së tokës në këtë zonë. Sipas tij, në Novoselë ndahej 3000 metër katrorë tokë për banorët e zonës, ndërkohë kryetari i ndarjes së tokës i ka dhënë djalit të tij 8000 metër katrorë, madje ka qenë as banor i këtij fshatit para vitit 1992.

“Unë jam nga fshati Fitore në Novoselë, Vlorë, kam një tokë të trashëguar të gjyshit me letra të vitit 1932. Kur u nda toka në vitin 1992 me ligjin 7501, kjo pjesa e tokës sime nuk u nda. E dinin të gjithë që ishte toka ime. Po kaluan disa kohë dhe ia vunë syrin. Pas viteve 2000, komisioni i ndarjes së tokës në fshatin Fitore vendosi ta ndajë dhe ia ka dhënë personave që nuk kanë qenë banorë të fshatit” thotë Faslli Dalipaj. Ai pohon se njëri nga banorët, i quajtur Eduart Ago, në regjistrin e gjendjes civile të vitit 1991, dilte me banim në Vlorë. “E kishte atje pasaportizimin. Ai nuk mori në vitin ’92, por pas viteve 2000 përfitoi. Sipas një vërtetimi të komunës Novoselë, në fshatin Fitore është ndarë nga 2500 deri në 3100 metër katrorë për frymë. Kurse ky Eduarti ka marrë mbi 8000 metër katrorë. Madje, kryetar i komisionit të ndarjes së tokës ka qenë babai i tij Laver Ago. Laveri ia ka dhënë në mënyrë të padrejtë. Mirë që ka marrë në vende të tjera, po tani më kërkojnë edhe mua tokën e të parëve të mi, atë të vitit ’32” thotë Dalipaj.

Më tej pohon se në këtë zonë vepron një grup kriminal, që janë nga 15 deri në 20 vetë. “Këta janë një bandë, si ajo e Eskobarit, që po ndajnë tokën. Janë grup i strukturuar kriminal, që kanë lidhje në Kadastër dhe andej nga prokuroria. Këta vetëm të shikonin dokumentet e komunës, sa ndahej në këtë fshat dhe sa ka marrë filani” thotë Faslli Dalipaj, pasi prona e të parëve të tij po ndahet aktualisht me ligjin 7501.

Pas ankesës, gazetarët e Fiks Fare biseduan me Kanan Shakajn, ish-kryetar i Komunës Novoselë dhe aktualisht administrator i kësaj njësie administrative. Ai thotë se në disa fshatra të Novoselës janë ndarë toka me ligjin 7501. “Në fshatin Fitore janë ndarë nga 2500 deri në 3000 metër katrorë për frymë” thotë ai, ndërsa gazetarët e pyesim për rastin që u denoncua në Fiks Fare. “Është dhënë në mënyrë abuzive” pohon ai, pasi në tryezë ka të gjitha dokumentet. Më tej shton se edhe vetë është nga fshati Fitore, po vetë ka marrë 1000 metër katrorë për frymë, pasi në atë kohë ka qenë i punësuar. “Edhe unë vetë kam marrë nga 1 dynymë për frymë. Tani nuk e di si e ka marrë kaq. Është bërë në mënyrë abuzive” saktëson Shakaj. Më tej shton se komisioni i ndarjes së tokës në Fitore drejtohet nga Laver Ago. Sipas tij, personi që ka përfituar ka qenë djali i tij Eduarti, i cili në atë kohë nuk ka qenë banor i fshatit Novoselë.

Pra, grupit të Fiks Fare iu deshën vetëm rreth 120 minuta për të vërtetuar se ndarja e tokës në këtë Njësi Administrative është bërë në mënyrë abuzive. Gazetarët siguruan certifikatat familjare të vitit 1991 të familjes Ago, ku rezulton se Eduarti ka qenë me pasaportizim në Vlorë. Gjithashtu, sipas vërtetimeve të komunës, në Fitore është ndarë maksimumi 3100 metër katrorë për frymë. Por, Eduarti ka marrë më shumë se 8000 metër katrorë për frymë! Dhe, të mendosh se të gjitha dokumentet i ka pasur në dorë prokuroria dhe nuk ka marrë asnjë masë ndëshkimore, duke sjellë pasoja akoma më të rënda për banorët e zonës.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel