Pas katër vjet paralajmërimesh e përgatitjesh, zgjedhjet presidenciale të 2020-ës nuk u shoqëruan me përsëritje të sulmeve dhe akteve ndërhyrëse ruse që u diktuan nga shërbimet e zbulimit amerikan gjatë zgjedhjeve të 2016-ës.
Por sipas zyrtarëve aktualë e të mëparshëm të zbulimit, si dhe analistëve të pavarur, ka pasur plot zhvillime të tjera shqetësuese. Rusët kanë qenë aktivë me operacione për planet e së ardhmes. Në vend që të mbështeten tek operatorë anonimë apo llogaritë e sajuara në median sociale për të ndikuar tek opinioni publik amerikan, zyrtarët paralajmërojnë se agjentë të Kremlinit kanë ndërhyrë dhe janë tani pjesë e ekosistemit të medias sociale amerikane, duke u bërë të pranishëm si zëra të së majtës ekstreme, ose të së djathtës ekstreme.
“Shumë nga këto fushata kanë miliona pasues,” thotë për VOA-n Evanna Hu, shefja ekzekutive e firmës Omelas.
“Ata janë mjaft të zotë për të nxitur ndjenja negative apo pozitive te pasuesit, thjesht me postimet e tyre”.
Omelas është një firmë në Uashington që gjurmon ekstremizmin në internet në interes të kompanive private që punojnë në projekte të mbrojtjes. Kjo firmë ka ndjekur me kujdes materialet ruse të postuara në 11 platforma të medias sociale dhe qindra transmetime nga Rusia në disa gjuhë. Kompania ka mbledhur 1.2 milionë postime në një periudhë tremujore para zgjedhjeve të 3 nëntorit. Firma Omelas zbuloi se kanalet më aktive ruse përfshinin grupe mediatike të mbështetura nga shteti si RT (Rusia Sot), Sputnik, TASS dhe Izvestia TV.
Top Channel