Greqi, 101 viktima në 24 orë/ Mitsotakis: Sistemi shëndetësor ka punuar në limite dhe ka duruar

25/11/2020 01:15

Për të tretën herë brenda katër ditëve të fundit Greqia regjistron përsëri mbi 100 viktima në ditë. Sipas autoriteteve shëndetsore 101 pacientë kanë humbur jetën nga covid-19 në 24 orët e fundit duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave nga koronavirusi në 1815 vetë. Në rritje është edhe numri i të intubuarve që ka shkuar në 562.

Gjatë së martës u konstatuan gjithashtu edhe 2135 të prekur dhe në total numri i tyre ka shkuar në mbi 95000. Sipas specialistëve tashmë rastet janë të shpërndara thuajse në të 50 zonat periferike të vendit, ndërsa vendin e parë mban përsëri Selaniku me 607, i ndjekur nga Athina me 401 dhe Larisa me 129.

Qeveria greke po vlerëson situatën e krijuar duke menduar seriozisht për një shtyrje të re të mbylljes së përgjithshme e cila ishte caktuar për 3 javë, deri në fund të këtij muaji.

‘Ndodhemi në orët më të rëndësishme të betejës me pandeminë dhe dua që të dëgjohet sot ky mesazh kudo, sidomos në Greqinë e Veriut. Sistemi Kombëtar i Shëndetsisë ka punuar kohët e fundit në limitet e tij dhe ka duruar. Jam i sigurtë që edhe në ditët e ardhëshme do të durojë’- tha kryeministri Mitsotakis.

Do të presim të dhënat e javës tjetër që të shohim, një lehtësim të përkufizimit të masave ka shtuar kryeministri grek gjatë një telekonference duke theksuar se Krishtlindjet sivjet do të jenë tepër të ndryshme, pa udhëtime dhe tryeza familjare të mëdha.

Ndërkohë në një sondazh të kompanisë Kapa Research për koronavirusin shumica e grekëve 49% duket se nuk janë të kënaqur me përgatitjet e qeverisë për përballimin e valës së dytë. Gjithashtu një në katër qytetarë deklaron se nuk do të vaksinohet, ndërsa ende Demokracia e Re mbetet partia e preferuar e grekëve me 37,4%, 13 pikë më tepër se partia opozitare Syriza, një diferencë që vërtet është ngushtuar, por tregon ende besimin e grekëve tek qeveria konservatore dhe kryeministri Mitsotakis.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA