Nga kërcënimi i nënës te plagosja/ Kapet një i shpallur në kërkim në Korçë, arrestohen dhe 4 të tjerë

24/11/2020 13:15

Një person i shpallur në kërkim është ndaluar në Korçë, si dhe janë arrestuar në flagrancë dhe 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Bëhet fjalë për shtetasin e shpallur në kërkim A. P., 41 vjeç, banues në Pogradec, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, me vendimin e datës 23.11.2020, ka urdhëruar ndalimin e tij për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 06.08.2020, në lagjen nr. 1, Pogradec, ku 41-vjeçari dyshohet se ka goditur me grushte e sende të forta shtetasin B. Ç., 60 vjeç, banues në fshatin Buçimas.

Po nga këto struktura u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. Xh., 27 vjeç, banues në Pogradec, pasi ky shtetas, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, ka kanosur dhe kërcënuar nënën e tij, shtetasen F. P., 53 vjeçe, e cila ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje.

Gjithashtu, specialistët e Sektorit për Policinë Rrugore bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

E. D., 36 vjeç, banues në Pogradec, pasi në lagjen nr. 1, Pogradec, duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin tip “Opel”, ka dëmtuar një mjet tjetër të parkuar në rrugë.

A. Sh., 27 vjeç, banues në fshatin Selcë, Pogradec, pasi në afërsi të stadiumit në Pogradec, u kap duke drejtuar pa leje drejtimi, mjetin tip “Benz”.

E. B., 60 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 10, Korçë, u kap duke drejtuar në gjendje të dehur, mjetin tip “Opel”.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Pogradec e Korçë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel