Greqia duket se do ta zgjasë izolimin përtej datës 30 nëntor që ishte parashikuar nga qeveria kur u vendosën masat kufizuese dy javë më parë.
Ministri i Shëndetësisë, Vassilis Kikilias u shpreh se bazuar në të dhënat epidemiologjike, presionin mbi sistemin shëndetësor të vendit dhe shtrirjen e sëmundjes është e qartë se masat e rrepta antiCovid nuk mund të hiqen në fund të muajit. Nuk jepet kështu asnjë garanci dhe për “shpëtimin” e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, e kjo nuk përjashton mundësinë që periudha festive në vendin fqinj të jetë me qarkullim të kufizuar. Vendi me rreth 11 milionë banorë ka tani më shumë se 92.000 raste të konfirmuara me koronavirus dhe 1,714 vdekje, më shumë se 1.000 prej të cilave ishin vetëm muajin e kaluar.
Repartet e terapisë intensive po mbushen shpejt, thotë Associated Press, ndërsa izolimi që përfshinte dhe mbylljen e shkollave, u vendos në fillim të nëntorit. Të hënën, ushtria nisi ngritjen e një spitali fushor me më shumë se 50 shtretër në qytetin e Selanikut ku ka pasur një shpërthim të madh të sëmundjes. Sipas zëvendësministrit të mbrojtjes, Alkiviadis Stefanis, spitali do të jetë gati nga fundi i javës.
Top Channel