Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu së bashku me ekipin e mjekëve dhe infermierëve ka inspektuar ditën e sotme spitalin Covid4 në aksin Tiranë-Durrës, i cili është gati për t’u hapur, me ezaurimin e kapaciteteve në tre spitalet COVID.

“Kapacitetet tona që tashmë i kemi ngritur dhe janë gati që në momentin që duhet, për t’u vënë në funksion. Numrat në rritje të rasteve të infektimeve dhe sigurisht numrat në rritje të rasteve në spitale, tashmë duke qenë se edhe spitali Covid3 është tërësisht me të gjitha kapacitetet i hapur në pritje të trajtimit dhe shërbimit të qytetarëve, edhe spitali Covid4 gjithashtu do të vendoset në një kohë të shpejtë në dispozicion të pacientëve për trajtimin e Covid19, me ezaurimin e kapaciteteve të 3 spitaleve COVID”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi nga spitali COVID4 se po përgatiten edhe spitalet rajonale për përgallimin e situatës së epidemisë.

“Kjo nuk është një periudhë e lehtë, e cila po shoqërohet me rritje të numrit të rasteve, ndaj vendosja në dispozicion e kapaciteteve të reja dhe përgatitja për hapjen e spitalit COVID4 vjen si përgjigje për përballjen e situatës. Nga ana tjetër edhe spitalet rajonale po përgatiten dhe tashmë strukturat janë ngritur, personeli është trajnuar, aparaturat biomjekësore janë vënë në dispozicion”, tha Manastirliu.

Dr. Daniela Nika, nëndrejtore e QSUT, strukturë e cila do të administrojë edhe spitalin COVID4 u shpreh se në strukturën e re janë të gjitha pajisjet për t’u shërbyer pacientëve.

“Siç mund ta shihni, struktura është e pajisur me panelet e oksigjenit, me monitorë, nëse do të duhet që pacienti të intubohet këtu kemi disponibël edhe respiratorë. Këtu do të bëhet përgjithësisht vlerësimi i parë për pacientët dhe pastaj sipas nevojës ata do të shpërndahen qoftë në pavionet lart apo në terapinë intensive nëqoftëse gjëndja do të jetë e rënduar”, shpjegoi Dr. Daniela Nika.

Prof. Krenar Lila, duke folur për stafet mjekësore që do të shërbejnë në spitalin Covid4, tha: “Kanë shprehur gadishmërinë e tyre infermierë të cilët punojnë në reanimacionet përkatëse në QSUT të cilët kërkojnë që të punojnë në spitalet infektive. Do të merret një pjesë e specializuar e infermierëve, sigurisht do të ketë dhe infermierë të rinj. Lidhur me personelin reanimator, është ndërtuar një plan, i cili do të funksionojë për të mbuluar shërbimin gjatë 24 orëve”, tha Krenar Lila.

Duke falenderuar mjekët dhe infermierët që i janë përgjigjur thirrjes për t’u bashkuar me ekipet mjekësore që do të shërbejnë në strukturat Covid, Manastirliu bëri thirrje për të gjithë qytetarët, duke kërkuar bashkëpunim, për qëllimin e përbashkët që është ruajtja e shëndetit.

“Duhet kuptuar se kjo nuk është një betejë që bëhet vetëm në spitale. Duhet të jetojmë me rregulla, të kemi përgjegjësi maksimale, sjellje individuale të kontrolluar, maskën, distancën, higjienën, të kufizojmë kontaktet, të mos qëndrojmë në grupe më shumë se 10 veta. Sigurisht që momenti i festive të Nëntorit do të jetë edhe njëherë një sfidë e rradhës për ti thënë qytetarëve që kush është patriot, kush e do vendin, kush e do veten, kush e do familjen, do të duhet që të zbatojë rregullat dhe të kufizojë kontaktet. Ne duhet ta bëjmë për familjarët tanë, për veten tonë, për mjekët dhe infermierët që po sakrifikojnë prej 9 muajsh”, bëri thirrje Manastirliu.

Top Channel