Pedagogu Arlind Qori, ishte i ftuar këtë të hënë në studion e emisionit “Top Talk”, drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja.

Qori, shprehu indinjatën e tij ndaj publikimit të një fotoje ku shfaqen fëmijët e pedagogut, gjatë ceremonisë së ndezjes së dritave të pemës së fundvitit në sheshin “Skëndërbej”, në kryeqytet. Qori e cilësoi si mungesë të theksuar etike publikimin e fotos pa marrë aprovimin e prindërve. Gjithashtu ai komentoi edhe fotot e publikuara, të pretenduara nga opozita se gjenden në morgun e Tiranës. Pedagogu i cilësoi fotot e publikuara si të përdorura politikisht. Në rastin e fotove të publikuara të fëmijëve të tij, ai tha se politika tenton të pasqyrojë diçka ndryshe, diçka që nuk lidhet me korrupsionin që sipas Qorit ata bëjnë. Ndërsa në lidhje me fotot e publikuara të viktimave brenda një morgu, pedagogu i cilësoi si makabre. Ndër të tjera ai tha se: “Është një operacion i shpejtë i fitimit të disa pëlqimeve më shumë, e një farë popullariteti siç ndizet sot shuhet më shumë nesër”.

Denis Dyrnjaja: Pse kemi përfunduar tek kjo pikë ku po përdorim ekstremet, nëse e quajmë kështu, siç janë fëmijët por nga krahu tjetër edhe të vdekurit për përfitim ose kapital politik. Ç’është kjo lloj politike? Është në mjerim, është në varfëri mendore, është çfarë?

Arlind Qori: Është varfëri politike sepse ka humbur përmbajtja. Ata nuk kanë si e mbrojnë qeverisjen e tyre, në rastin e qeverisë, e nuk kanë të propozojnë gjëra të reja dhe ndryshe në rastin e opozitës. Nga ana tjetër është vlerësuar fjala, është vlerësuar fjala. Nuk ka rëndësi çfarë thua atje, nuk ka rëndësi përmbajtja, rëndësi ka që ta shoqërosh atë që thua. Të flasësh nëpërmjet imazhit, një imazhi që është lehtësisht i manipulueshëm dhe që i godet njerëzit jo tek arsyeja, por tek ndjenja. Kjo shënon një lloj degradimi të ligjërimit publik por edhe të logjikës politike. Por politikanët e bëjnë këtë gjë, e bëjnë me imazhin, me fëmijët, sepse në një farë kuptimi duan të nxjerrin antipodin e tyre. Meqenëse ata janë vetë të vjetruar, korruptuar, duan të japin imazhin e një të reje, të bukure, shpresëdhënëse. Këto janë operacione të cilat na pamundësojnë ne për të diskutuar për problemet reale të shoqërisë, për mënyrën se si qeveria vepron aty jashtë nesh.

Denis Dyrnjaja: Opozita denoncojë fort ditët e fundit atë që ndodh në morgun e Tiranës. Në fakt për hir të vërtetës, duke i kërkuar dhe ndjesë shikuesve sepse pamjet janë realisht të rënda, por unë doja t’i sillja të tilla sepse të tilla u përdorën publikisht për të sjellë atë denoncim që opozita pretendon, por që një palë e interpretoi si një mundësi për ta përdorur politikisht për qëllime e përfitim politik. Kë ke parë më afër realitetit në këtë rast, përfitimin politik apo denoncimin.

Arlind Qori: Nëse denoncimi është i drejtë edhe mund të përfitohet politikisht, politika atë bën. Mungesa e filtrave etik, ti mund ta kesh një imazh të rëndë, por duhet ta filtrosh, edhe të japësh idenë e asaj që po ndodh, por jo të na godasësh aq keq emocionalisht ne të tjerëve duke ekspozuar pamje makabre. Këto mungojnë çdolloj filtri sepse mungon konsiderata për publikun, shoqërinë, për ata që na ndjekin. Është një operacion i shpejtë i fitimit të disa pëlqimeve më shumë, e një farë popullariteti siç ndizet sot shuhet më shumë nesër.

 

Top Channel