Zëvendëskryeministri bullgar, Krasimir Karakaçanov, ka akuzuar Maqedoninë e Veriut për shkeljen e Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë, andaj ka thënë se Shkupi zyrtar nuk mund të presë mbështetjen e Sofjes për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pa zgjidhur çështjet e diskutueshme bilaterale.
Dy vendet më 2 gusht 2017, kanë nënshkruar një marrëveshje për zgjidhje e kontesteve që kanë të bëjnë me identitetin e disa personaliteteve nga e kaluara, pakicat etnike në të dyja vendet, por edhe ato që kanë të bëjnë me gjuhën dhe identitetin.
“Shkupi nuk ka dëshirë t’i zgjidhë këto çështje. Ata mendojnë se mund të përdorin hile, si më parë. Bullgaria t’i mbështesë ata dhe ata duhet të na godasin me thikë në shpinë si një falënderim dhe të na diskreditojnë”, tha Karakaçanov, në një deklaratë për televizionin shtetëror bullgar (BTV).
Karakaçanov kujtoi se Bashkimi Evropian ka një rregull shumë të qartë që vlen për të gjithë, përfshirë Bullgarinë – se shtetet nuk mund të anëtarësohen në BE nëse nuk zgjidhin çështjet bilaterale të diskutueshme.
Zyrtari i lartë bullgar ka akuzuar qeveritë maqedonase edhe për konflikte me vendet tjera nga rajoni.
“Së pari ata filluan të persekutonin njerëzit që e quanin veten bullgarë, pastaj konflikti me shqiptarët, skandalet me Greqinë, skandalet me Bullgarinë – për 28 vjet. Për këtë arsye, disa bullgarë vijnë nga Maqedonia dhe marrin shtetësinë bullgare”, tha Karakaçanov.
Deklarata e zyrtarit të lartë bullgar, nuk është komentuar nga autoritetet maqedonase, por kryeministrit Zoran Zaev, në mënyrë indirekte ka përçuar një mesazh për rëndësinë që ka gjuha për një komb.
“Gjuha dhe alfabeti i saj përkatës janë pjesë e kodit gjenetik të një kombi dhe rrjedhin nga e drejta universale e vetëvendosjes. Në atë kod gjenetik janë elementet e identitetit dhe potencialet për komunikim, integrim shoqëror, edukim dhe zhvillim. Detyra jonë, detyra e shtetit është që të respektojë, ruajë dhe ushqejë veçoritë e gjuhës dhe shkrimit. Këto janë vlera edhe evropiane që ne i kemi pranuar si tonat në rrugën e integrimit tonë në Bashkimin Evropian”, ka thënë kryeministri Zaev me rastin e në shënimit të Ditës së Alfabetit të gjuhës shqipe.
Lidhur me kërcënimet bullgare për bllokimin e procesit integrues, VMRO-DPMNE-ja opozitare ka fajësuar Qeverinë maqedonase që udhëhiqet nga Zoran Zaev.
“Më besoni, nuk ka asnjë burrë shteti evropian që do ta lejojë veten të ulet në të njëjtën tryezë me një njeri të korruptuar. Bullgaria me shkathtësi përdori dështimet e Zaevit. Kur panë (autoritetet bullgare) se Zaev nuk mori datë për negociata as qershor 2018, as qershor 2019, as tetor të të njëjtit vit për shkak të nivelit të pamjaftueshëm të reformave, ata vendosën të tregonin muskuj kryesisht për përdorimin e brendshëm parazgjedhor”, ka deklaruar nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikolloski.
Top Channel