22 nëntori është Ditën e Alfabetit Shqip, i cili u unifikua 112 vjet më parë në Kongresin e Manastirit. Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit të vitit 1908. Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe.
“Gjuha dhe alfabeti i saj janë pjesë e kodit gjenetik të një kombi dhe rrjedhin nga e drejta universale e vetëvendosjes. Në atë kod gjenetik janë elementët e identitetit dhe potencialet për komunikim, integrim shoqëror, arsim dhe zhvillim. Detyra jonë dhe e shtetit është të respektojë, ruajë dhe kultivojë veçoritë e gjuhës dhe shkrimit të secilit prej komuniteteve. Me kremtimin e Ditës së Alfabetit të gjuhës shqipe, konfirmojmë përkushtimin e përbashkët për respektimin dhe avancimin e diversitetit etnik dhe kulturor, përkatësisht pasurinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, uroi Kryeministri Zoran Zaev.
Në prag të këtij përvjetori Drejtoria e përgjithshme e Arkivit të Shqipërisë theu kufijtë shtetërorë dhe hapi një sallë studimi në Shkup.
Këndi Arkivor është hapësira e re e krijuar tek Leximorja e Çairit në Shkup.
Ardit Bido: “Studiuesi që do të vijë në Këndin Arkivor në Shkup, është njësoj sikur të ishte në Tiranë. Edhe në Tiranë do të bënte të njëjtën gjë, pa as edhe një lloj ndyshimi. Është ekzaktësisht e njëjta formë bashkëpunimi, që nesër pasnesër ta kemi, jo vetëm kombëtar, por dhe rajonal. Ta kemi edhe në Arkivin e Maqedonisë, që ka dokumentacion mbi shqiptarët, por shumicën dërmuese e ka mbi kombin maqedonas, ta kemi edhe me Arkivin bullgar, ta kemi edhe me Arkivin grek, pse jo!”
Zëvendësdrejtori i Arkivit të Maqedonisë së Veriut tha se synimi është që të gjitha fondet që kanë të bëjnë me historinë shqiptare, të jenë si në Shkup, po ashtu edhe në Tiranë.
Top Channel