Nuk i bindet policisë/ Tenton të largohet dhe përplas disa mjete të parkuara, arrestohet 20-vjeçari në Durrës

21/11/2020 09:22

I ndjekur nga policia, një 20-vjeçar në Durrës është kapur dhe arrestuar, pasi tentoi të mos i bindej shenjës së efektivëve për ndalim, duke u larguar dhe përplasur disa mjete të parkuara.

Shërbimet e Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të kontrolleve ndaj personave që lëvizin me sende të kundraligjshme dhe rritjen e parametrave të sigurisë në qytet, në lagjen nr.1, Durrës, i kanë bërë shenjë për të ndaluar mjetit tip “Benz”, me drejtues shtetasin Xh. V., i cili nuk i është bindur urdhrit të policisë, por është larguar duke dëmtuar dhe disa mjete të parkuara. Shërbimet e Policisë në lagjen nr.17, Durrës, kanë bërë të mundur ndalimin e mjetit dhe shoqërimin e tij në ambientet e Policisë.

Në vijim të veprimeve, nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të policisë” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, i shtetasit Xh. V., 20 vjeç, banues në Durrës.

Po kështu është arrestuar edhe një 30-vjeçar për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”. Policia ka ndaluar në lagjen nr.13, shtetasin A. I., ku gjatë kontrollit fizik, iu gjet një sasi lëndë narkotike marjiuanë dhe një grirëse.

Gjatë kontrollit në banesën e tij shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi prej 48 gr. lëndë narkotike e dyshuar marijuanë. Në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi A. I., 30 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel