Kur pritej që kryetari i partisë demokratike Lulzim Basha të rrëfente të kaluarën e tij në zyrën për hetimet e krimeve të luftës dhe unmik, e t’i përgjigjej akuzave nga të mbijetuar të masakrave dhe ish luftëtarë të UCK, ai nisi të bëjë politikë me të vdekurit.

Basha tregoi një listë me emra të vdekurish duke thënë se ata janë fshehur nga autoritetet shtetërore. Kjo shkaktoi menjëherë reagimin e mjekëve që kurojnë të sëmurët në spitalet covid, të cilët e hodhën poshtë akuzën dhe u kërkuan që të hetohet çdo kartelë e rasteve tragjike të të sëmurëve që ata kanë kuruar. Ndërsa ministria e shëndetësisë e cilësoi deklaratën e kryetarit të PD si një nxitje të agresivitetit ndaj mjekëve.

Basha tha se listën ja kishin dhënë burime të besuara në morgun e Tiranës. Të nesërmen, dukshëm në mënyrë të organizuar nga e njëjta zyrë politike, në portale u shpërndanë foto shumë të rënda për të cilat thuhej se ishin bërë në ambjentet e brendshme të morgut. Trupat e të ndjerëve në tokë dhe tavolina tronditën gjithkënd e më së shumti familjarët e atyre qindra viktimave që shkaktoi pandemia e covid.

Kostot morale të përdorimit politikë të të vdekurve i mban vetë kryetari i PD dhe partia që ai drejton duke qenë se kjo është një rrugë të cilën vetë ai ka zgjedhur të përshkojë. Por duhet thënë se duke u futur në morgun e Tiranës Lulzim Basha po përpiqet të bëjë politikë për t’i shpëtuar përgjegjësive për çka po ndodh aktualisht me gjyqet kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Top Channel