Gjonaj dhe Ministri i Jashtëm i Italisë sot takim në Tiranë, për antikorrupsionin dhe reformën në drejtësi

20/11/2020 10:27

Ministri i Jashtëm dhe i Bashkëpunimit Ndërkombëtar i Republikës së Italisë, z. Luigi di Maio zhvillon sot me Ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj një takim dypalësh me temë kryesore reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit. Në takim Ministri Di Maio shoqërohet edhe nga ish-Ministrja e Drejtësisë së Italisë, Paola Severino, sot Përfaqësuese e Posaçme Antikorrupsion e OSBE-së.

Ministri Di Maio vjen për të konsoliduar angazhimin e Italisë në përmirësimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, për të koordinuar objektivat e luftës kundër korrupsionit sipas indikatorëve të GRECO-s, mekanizmit antikorrupsion të Këshillit të Europës dhe për të mbështetur integrimin e Shqipërisë në BE.

Pas takimit dypalësh, Ministrat Di Maio dhe Gjonaj do të zhvillojnë një tryezë diskutimi të përbashkët me temë ‘Drejtësia dhe Antikorrupsioni, Sfidat e Integrimit të Shqipërisë në BE’.
Tryeza moderohet nga Francesco Mandoi, magjistrati italian i ndërlidhjes në Ministrinë e Drejtësisë shqiptare. Në tryezë marrin pjesë edhe kryetarët e komisioneve parlamentare të Kuvendit.

Temat kryesore të tryezës së nivelit të lartë përfshijnë reformë në drejtësi dhe mbështetja italiane për fuqizimin e institucioneve të reja të drejtësisë, lufta kundër korrupsionit, roli i Italisë përkrah Shqipërisë në çeljen e negociatave me BE-në, bashkëpunimi dypalësh në luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe korrupsionit, si edhe për t’i dhënë jehonë të mirëfilltë rezultateve tejet pozitive të raportit antikorrupsion të GRECO-s mbi përpjekjet antikorrupsion të Qeverisë Shqiptare.

Ministrja Gjonaj e njohu Ministrin Di Maio me Rrjetin e Koordinatorëve Antikorrupsion si një mekanizëm kombëtar referimi, që vepron në sektorët më nevralgjikë dhe me risk të lartë ndaj korrupsionit me qëllim adresimin edhe hetimit e denoncimeve për raste korruptive, duke krijuar kështu një aleancë të drejtpërdrejtë me qytetarët në luftën kundër korrupsionit. Ministrja Etilda Gjonaj thekson se ky rrjet do të jetë një derë për të pritur dhe denoncimet e bizneseve ku së bashku me konsolidimin e rezultateve të reformës në drejtësi do të rrisë besueshmërinë e investitorëve të huaj për të investuar në Shqipëri.

Arritjet e Shqipërisë në drejtim të parandalimit të korrupsionit dhe rezultatet e reformës në drejtësi janë vlerësuar maksimalisht nga GRECO në tetor të këtij viti ashtu si dhe këto rezultate janë njohur me nota pozitive edhe nga raporti i Komisionit Evropian lidhur me aksionet dhe masat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare në drejtim të fuqizimit të kapaciteteve koordinuese dhe monitoruese kundër korrupsionit.

Top Channel