E premte e zezë, 15 humbje jete/ Betejën e humbi një foshnjë 16 muajshe, aktori Xhelili dhe mjeku Shehu! 836 raste të reja me Covid

20/11/2020 19:34

Kjo e premte shënoi bilancin më të rëndë të viktimave dhe të infektuarve me Covid 19 që nga nisja e pandemisë në vend.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në 24 orët e fundit, 15 qytetarë kanë ndërruar jetë dhe 836 persona kanë rezultuar pozitivë me virusin SARS COV2.

Mes viktimave është një fëmijë 16 muajsh. I ndjekur dhe trajtuar në pavionin COVID në Pediatrinë e Tiranës për gjendjen dhe shenjat klinike për Sindromën Kawasaki, gjendja e tij u rëndua brenda 24 orëve.

Më pas u dërguar në terapinë intensive ku, me gjithë përpjekjet e mëdha të mjekëve të reanimacionit, nuk mundi të mbijetojë. Mjekët thonë se Covidi e përkeqëson e gjendjen e të atyre që vuajnë nga Sindroma Kaëasaki, e cila është inflamacion i enëve të gjakut që jep një shok tek fëmijët me problem të zemrës. Në rastin e fëmijës çoi në fatalitet.

Këto vargje rebelimi ndaj Covidit recitoi gjatë izolimit aktori fierak I humorit Fatmir Xhelili, që u shua në moshën 69-vjeçare, si pasojë e koronavirusit. Fillimisht ai iu nënshtrua një operacioni në zemër në Tiranë.

U dërgua në shtëpi, por vetëm pak ditë më pas rezultoi pozitiv me Sars Cov2. Aktori u dërgua në Spitalin Infektiv ku dhe e humbi betejën për jetën.

Xhelili ishte aktor në teatrin “Bylis” në Fier ku për dekada interpretoi përkrah emrave të njohur të artit dhe kinematografisë.

Mes viktimave të 24 orëve të fundit është edhe mjeku I njohur kuksian Shaqir Shehu. 68-vjeçari Shehu shërbeu si kirurg ortoped në qytetin e Kukësit për shumë vite, ndërsa pas infektimit me COVID-19 u dërgua për kurim në Turqi, por nuk ia doli mbanë.

Mësohet se Shehu shërbeu dhe gjatë luftës së Kosovës, ndërsa Bashkia e Kukësit e shpalli edhe ”Qytetar Nderi”. Madje për 3 vite nga 2002-2005 Shehu punoi si prefekt i qarkut të Kukësit.

Ditën e sotme ka bilancin më të rëndë që nga fillimi I pandemisë.  Raportohet se në 3 spitalet COVID, po trajtohen 436 pacientë, 10 në terapi intensive, 5 pacientë janë të intubuar. Tirana, Fieri, Elbasani dhe Vlora kanë numrin më të lartë të të prekurve.

Top Channel