Vdekja e 19-vjeçares pas lindjes së djalit, kunati: Drejtori i spitalit tha se është gabim mjekësor, por ndryshoi qëndrim

19/11/2020 13:29

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në maternitetin e Gjirokastrës më datë 13.11.2020, ku një 19-vjeçare humbi jetën gjatë natës, pas lindjes së djalit të saj.

Familjarët fajësojnë mjekët për vdekjen e saj, sepse pas lindjes të dy ishin në gjendje shumë të mirë. Vajza lindi me ndërhyrje cezariane për shkak të pozicionit të fëmijës, por më pas pati komplikacione në frymëmarrje.

Në emisionin “Shqipëria Live”, në lidhje të drejtpërdrejtë ditën e sotme ishte bashkëshorti i viktimës dhe kunati i saj. Ata thanë se presin ekspertizën mjekoligjore nga Tirana dhe është hapur një dosje në Gjirokastër. Sipas kunatit të viktimës , drejtori i spitalit i kishte thënë babait të tij se është faji i mjekëve por më pas ai kishte ndryshuar qëndrim.

“Bebi po ushqehet me qumësht farmacie. Shtatzënia e saj ka qenë në rregull. Kemi shkuar në Sarandë për të parë nëse fëmija ishte formuar në rregull. kur i filluan dhimbjet e çuam në spital pritën dy infermieret dhe doktori pasi e pa tha se duhej të operohej. pas operacionit  ai tha se fëmija ishte me kordon rreth qafës por të dy janë shumë mirë, pas 2 orësh të shkojnë të shikojnë fëmijën dhe nusen, infermierja tha se nuk mund të qëndronin gjatë natës. ajo ishte shumë mirë kur e pamë, i kishte dalë narkoza, do të flasim dhe nesër që të çojmë djalin tek mamaja. Infermierja më tha se do të kujdesem unë. Neve ikëm dhe në orën 4 morën mamin në telefon e i thanë se nusja është shumë rëndë. Kur mamaja hyri në dhomë aty ishin dy infermiere që po qanin edhe largojnë nënën. ajo ka pasur komplikacion në frymëmarrje dhe infermierja apo kryeinfermierja na tha se ka pasur një infeksion gjaku. doktori na tha vetëm që ajo mbaroi nuk mundëm që ta shpëtonim. Më pas ai fiku telefonin. ata kanë tentuar që të thoshin që të vdiste për shkak të COVID-19. Kur po transportohej për në morg kemi parë që kishte pasur hemorragji dhe nga veshët. Drejtori i spitalit tha se është faj mjekësor. Ai i tha babait se është gabim mjekësor por ai nuk mundi dot që ta regjistronte. Më pas ai e ndryshoi qëndrimin. Po presim ekspertizën nga Tirana,  kemi dhënë dëshmi në polici dhe dosja është në Gjirokastër. Duam që të dalë e vërteta. Jemi shumë të bindur që është neglizhencë e mjekëve. I bëjmë thirrje ministres që të dalë kjo e vërtetë sepse ajo ishte një vajzë e re. Edhe djalin e kemi parë të shtunën sepse nuk na lejonin që të futeshim që të shikonim djalin”, tha kunati Klajdi.

“Nuk munda dot që ta shikoja dhe të flisja me të para se të vdiste , mbyllnin derën”,u shpreh bashkëshorti i saj, Romarjo.

Top Channel