649 qytetarë janë dënuar me nga 3 mijë lekë në 24 orët e fundit pasi u konstatuan duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.
Ndërkohë, 3 qytetarë janë ndëshkuar për shkelje të orës policore pas orës 22:00 deri në 06:00. Ata janë gjobitur me nga 10 mijë lekë.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit
Kontrolle të pandërprera në të gjithë vendin, për monitorimin e zbatimit të masave anticovid.
U konstatuan duke lëvizur pa maskat mbrojtëse, ndëshkohen me masë administrative 649 qytetarë.
Masë administrative edhe për 3 qytetarë që u konstatuan duke lëvizur në këmbë pas orës 22:00.
Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.
Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 649 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.
Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 7 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve, pas orës 22:00 janë konstatuar 3 qytetarë që lëviznin në rrugë pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili.
Policia e Shtetit, krahas punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, do të vijojnë punën për monitorimin e zbatimit të masave anticovid në të gjithë vendin. Në këtë kuadër i bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që të zbatojnë masat anticovid dhe të mos dalin nga banesat e tyre pas orës 22:00 deri në orën 06:00.
Top Channel