Kalon provimin “Vetting”/ Muhamet Rrumbullaku, të ligjshme makinat e apartamentet

19/11/2020 13:30

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit konfirmoi në detyrë drejtorin e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, Muhamet Rrumbullaku.

Ky komision ka arritur në konkluzionin se subjekti ka plotësuar të saktë formularin për pastërtinë e figurës teksa e sheh të përshtatshëm për vijimin e punës. Muhamet Rrumbullaku ka dalë i pastër përsa i përket pasurisë. Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit ka arritur në konkluzionin se përsa i përket apartamenteve dhe pronat në zotërim të tij janë të justifikuara nga burime zyrtare pasurore.

Ajo që ra në sy gjatë seancës dëgjimore ishte numri i madh i automjeteve që ka pasur Rrumbullaku në zotërim. Sipas komisionit, të gjitha këto automjete janë ndërruar përgjatë viteve për përdorim personal dhe jo për qëllime përfitimi.

Rrumbullaku një polic karriere, u emërua në krye të këtij institucioni pas një urdhri të Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, për ndryshime në nivel drejtues në këtë strukturë.

Muhamet Rrumbullaku si Drejtor i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), në Ministrinë e Brendshme zëvendësoi në këtë detyrë  Anila Trimi.

Top Channel