Ka rezultuar pozitiv edhe Prefekti i Gjirokastër, Odise Kote që pak më shumë se dy javë më parë u emërua në këtë detyrë.

Këtë e ka bërë të ditur vetë ai me anë të një postimi ku shkruan se pas infektimit me Covid është vetëizoluar në banesën e tij.

Ai shkruan më tej se gjendja e tij shëndetësore është e qëndrueshme, si dhe njëkohësisht ai po vijon me detyrën e tij në distancë përmes sistemit online.

Gjirokastra është sot qyteti i dytë pas Tiranës që kishte më shumë raste me COVID-19 për datën 19 nëntor.

Të dashur bashkëqytetarë, miq e dashamirës!

Prej ditës së hënë, për shkak të simptomave dhe konsultimit mjekësor, u vetëizolova në banesën time. Kam kryer tamponin të martën dhe zyrtarisht sot në mbrëmje jam njoftuar nga ISHP-ja se jam i infektuar me covid 19.

Fatmirësisht deri në këto momente gjendja shëndetësore është e qëndrueshme në parametra, po e përballoj sëmundjen dhe njëkohësisht po vijoj detyrën në distancë përmes sistemit on line. Kam marrë me dhjetra e qindra mesazhe mbështetëse që më inkurajojnë e më japin forcë, për ta përballuar këtë situatë delikate.

Dua të falenderoj me përulësi bluzat e bardha, të gjithë shërbimin mjekësor,mjeken e familjes Evjeni Hasani, dr. Flamur Golemin, që me përkushtim e humanizëm po kujdesen e ndjekin pa u lodhur, pjestarë të familjes time dhe mua personalisht në kurimin e sëmundjes.

Në këto momente lutja ime për të gjithë ju: Le të jemi bashkë në zbatimin e të gjithë masave të protokolleve shëndetësore që mbrojnë jetën e secilit prej nesh, të familjeve, fëmijëve e prindërve tanë.

Bashkë dhe me unitet qytetar, ne do t’ia dalim ta fitojmë edhe këtë betejë!
Ju faleminderit.

Top Channel