Thaçi dhe të tjerët do të gjykohen nën arrest apo të lirë? Spahiu: E vështirë të thuhet, por prokuroria

18/11/2020 21:48

Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dolën sot para Dhomave të Specializuara të Gjykatës së Hagës, ndërsa çështja që po diskutohet është nëse ata do të gjykohen të lirë apo në arrest.

Analisti Kreshnik Spahiu, në një lidhje me “Skype” për emisionin “Open”, tha se është e vështirë të argumentohet se si do të vendosë gjykata, ndërsa aludoi se Prokuroria mund të kërkojë gjykimin e tyre nën arrest, me arsyetimin se mund të prishen provat.

“Përpara dy muajsh unë kam paralajmëruar që do të ketë disa arrestime të liderëve politik. Liderët kosovar shkojnë me një disavantazh të madh në këtë proces, Gjykata Special nuk operon në Kosovë por po e kryen në Hagë. Nuk kemi një gjykim të gjykatës së Hagës, por Gjykatës Speciale të Kosovës, që po funksionon në Hagë. Ky është kulmi i mosbesimit që BE, ka dhënë për shqiptarët e Kosovës. Ndryshe nga Serbia, gjykatat në Kosovë, nuk gjykuan asnjë për krime lufte. Ndryshe nga gjykatat serbe që kanë mbajtur qindra seance.  Të mos harrojmë që përgjegjësinë juridike e kanë deputetët e Kosovës që miratuan Gjykatën Speciale. Ka një problem madhor. Edhe sikur gjykata t’i japë kohë avokatëve deri në vitin 2022, për t’u njohur me faktet që pretendohen. Patatja e nxehtë është, që Thaçi dhe të tjerët do të gjykohen të lirë apo si të burgosur. Mbrojtja do të argumentojë lirimin e Thaçit dhe të tjerëve sepse ato kanë treguar vullnet, duke u tërhequr nga detyrat dhe të gjykohen. Prokuroria do të pretendojë t’i mbaj në arrest sepse mund të ekzistojë rreziku për prishjen e provave. Kadri Veseli bëri një deklaratë, ne shkojmë për të pastruar historinë tonë. Ne heronjtë e luftës janë përfshirë në vandalizma dhe krime të pasluftës apo jo. Këta do të gjykohen në gjendje arresti”, tha Spahiu.

 

 

 

 

 

 

Top Channel