Katër persona ranë në pranga në Shkodër, pas një operacioni policor ku u goditën dy raste të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.

Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se një mjet po transportonte lëndë narkotike në drejtim të Shkodrës, specialistët e Seksionit Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme kanë organizuar punën dhe kanë lokalizuar mjetin me drejtues shtetasin J. Sh. dhe pasagjerë shtetasit B. S. dhe K. S. Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë mjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur brenda një kove me djathë, një qese me lëndë narkotike, me peshë rreth 1 kg.

Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas merrej me shitje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike në qytetin e Shkodrës, specialistët e Seksionit Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Shkodër kanë ushtruar kontrolle në zona të ndryshme në qytet dhe si rezultat në sheshin “Demokracia” kanë konstatuar shtetasin G. S., i cili kur ka parë shërbimet e Policisë, ka tentuar të largohet. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi i është gjetur një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa në formë çokollate.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: J. Sh. 31 vjeç, banues në fshatin Vrak, Malësi e Madhe; B. S., 36 vjeç, banues në fshatin Grude e Re, Shkodër; K. S., 50 vjeç, banues në fshatin Grude e Re , Shkodër dhe G. S., 21 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim” dhe “Pastrim i produktit të veprës penale”.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel