Silva Bino tregon eksperiencën e saj brenda Infektivit: Mjekët lanin, ushqenin dhe i pastronin pacientët…

17/11/2020 22:01

Shefja e departamentit të sëmundjeve infektive pranë ISHP-së, Silva Bino ishte e ftuar në emisionin “Open” për të folur rreth situatës epidemiologjike në vend.

Bino tregoi në studio dhe përvojën e saj me virusin, ku veçoi ndër të tjera kujdesin e mjekëve. Ajo tha se mjekët shpesh kanë larë, ushqyer dhe kujdesur për pacientët e sëmurë, pasi shumë prej tyre kanë vështirësi në frymëmarrje. Bino theksoi se edhe ajo vetë ka pasur vështirësi me frymëmarrjen dhe shtoi se frika e saj më e madhe ishte të mos futej në intubim.

“Unë kam qenë paciente në spital prej dy javësh, kam eksperiencën time personale atje. Unë duke qenë mjeke, është situatë e vështirë dhe kërkon qëndrueshmëri. Kjo është një kohë që kërkon forcë, e cila i tejkalon fuqitë tona, por duhet të jemi të qëndrueshëm për të kaluar situatën. Duke qenë vetë në pavijon, ajo që është vënë re gjatë pandemie, ka edhe të shtruar në terapinë intensive, presioni është i madh mbi mjekët. Përkushtimi i tyre është i madh, unë kam qenë dëshmitare ku ata jo vetëm kujdeseshin për mjekim, por i lanin, i ushqenin, i prisnin thonjtë pacientëve. Kemi të bëjmë me të sëmurë që nuk mbushen me frymë. Po edhe unë pata momente të tilla. Dua t’i falënderoj që të gjithë për punën që bëjnë që me të vërtetë përballen me këto. Pas spitalit unë mendova që duhet të bëjmë përpjekje për të kufizuar numrin e atyre që shtrohen. Ata dinë t’i trajtojnë njerëzit siç më trajtuan mua. Unë në përgjithësi jam i qëndrueshëm nuk kam pasur panik, paniku më i madh të mos futesha në intubim. Intubimi një procedurë invazive, jo i lehtë, nuk e doja këtë gjë. Ishte e vetmja gjë që kisha frikë, por nuk pata nevojë”, tha Bino.

 

Top Channel