Misioni Artemis II thyen rekordin historik të Apollo 13, astronautët arrijnë pikën më të largët nga Toka
Policia bjelloruse arrestoi më shumë se 1.100 njerëz më 15 nëntor gjatë protestave që u mbajtën në të gjithë vendin, për të kërkuar dorëheqjen e Aleksander Lukashenko dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja presidenciale.
Zgjedhjet presidenciale u mbajtën në muajin gusht, mirëpo opozita dhe vendet perëndimore kanë thënë se ato ishin të manipuluara. Grupi i të drejtave të njeriut Vyasna tha se shumica e arrestimeve u kryen në Minsk, ku forcat e sigurisë përdorën gaz lotësjellës për të shpërndarë mijëra demonstrues. Ky është numri më i lartë i arrestimeve, në një ditë të vetme, që nga fillimi i protestave. Numri i përgjithshëm i njerëzve të ndaluar që nga gushti besohet të jetë mbi 25.000, sipas Vyasna.
Të paktën 23 gazetarë ishin midis atyre që u arrestuan në Minsk dhe qytete të tjera, sipas Shoqatës Bjelloruse të Gazetarëve. Udhëheqësja e opozitës, Svyatlana Tsikhanouskaya, e cila ka thënë se votimet ishin të manipuluara në favor të Lukashenkos dhe e konsideron veten fituese të ligjshme, bëri thirrje për mbështetje ndërkombëtare për demonstruesit.
“Ne i kërkojmë aleatëve tanë të qëndrojnë me popullin bjellorus dhe të drejtat e njeriut. Na duhet një korridor humanitar për të plagosurit, mbështetje për mediat, hetim ndërkombëtar i krimeve”, shkroi ajo në Twitter. Tsikhanouskaya u largua nga Bjellorusia për në Lituani menjëherë pas zgjedhjeve të muajit gusht. Shumica e udhëheqësve të opozitës së vendit janë arrestuar ose detyruar të largohen nga vendi.
Top Channel