“Dil shpjegohu, mos nxirr partinë”/ Rama: Basha në UMNIK me heshtjen e gjatë dhe shmangien, konfirmon akuzat

17/11/2020 12:43

Kryeministri Edi Rama dha një përgjigje shteruese për sa i përket shkëmbimeve në distancë kohët e fundit me kreun e PD, Lulzim Basha për masakrën e Krushës dhe rolin e tij në luftën e Kosovës.

Rama i mëshoi faktit se Basha duhet që të dalë të shpjegohet, teksa e cilësoi si absurde që Basha nxjerr partinë që t’i dalë në mbrojtje. Ai tha se këto akuza, që nuk i bën ai, nuk bëhet për fushatë, por se me heshtjen dhe shmangien e gjatë të akuzave ndaj tij, Basha vetë i konfirmon ato.

I pyetur se nëse do të ishte më mirë t’i drejtoheshit EULEX për të marrë informacion për sa i përket Bashës në ato vite, Rama u shpreh.

“Një përfaqësues i një familje, siç e ka gjithë gjithësecili, i një organizate, media, për më tepër një përfaqësues i një numër të caktuar qytetarësh, i një partie poltike, e që për më tepër pretendon të qeverisë vendin, ka për detyrë të mbajë qëndrime dhe të thojë atë se çfarë lidhet me të , sepse këtu nuk po flasim për punët private, por për një detyrim shumë të thjeshtë, që një lider ka, të shpjegohet dhe patjetër që në këtë rast unë jam, aspak i dëshiruar që këto akuza që nuk i bëj unë, por njerëz që si njoh fare të mos jenë të vërteta, por është detyrim i patjetërsueshëm, nuk mund të ngrihet duke më sharë mua, as të nxjerrë partinë, se kjo është individuale.

Në pozicionin që unë kam, e kam detyrim t’i them shpjegohu, sepse nëse PS në kohën kur e ka drejtuar Nano nëse do kishte mbajtur një qëndrim të tillë, unë sot do jepja shpjegim megjithëse atëherë nuk e drejtoja unë PS.
Edhe Basha duhet të thotë pse. Le ta thotë pse e ka votuar pro raportin e Dick Martyt-, pse bashkë me LSI votuan pro, le ta thonë. Këto janë thjesht në funksion të detyrës që kam, dhe të tjerat janë dokrra që kjo është pjesë e fushatës e me radhë.

Dikush që pretendon të drejtojë shtëpinë tonë, le ta thotë, kam bërë këtë ose atë, kjo qëndron dhe kjo jo.

Por nuk mund të thuhet që kjo është komplot i Ramës me Top Channel, apo se Rama këtë e bën gjthmonë, këtë se thotë dot Basha në kushtet kur i duhet të shpjegojë se çfarë ka bërë, jo çfarë kam bërë unë.

Në gjithë botën demokratike funksionon kështu pra llogaridhënia.

Unë nuk jam hetues dhe s’më intereson fare të jem. Kjo është çështje karakteriale e rëndësishme, që testohet gjithmonë para njerëzve. Ai duhet të dalë të përballet ,me çdo çështje që ka interes publik dhe jo më me atë që ka lidhje me të.

Të ikësh, të bishtnosh, të bësh fletërrufe me partinë, nuk është mirë. Në fund të fundit ne jemi të gjithë në sytë e njerëzve. Unë nuk kam akuza, ato konfirmohen nga heshtja e gjatë, nga shmangia për tu përballur me to, apo kundër akuzat me ata njerëz që sot i adresohen Bashës për t’jua adresuar atij, pse nuk i adresohen dikujt tjetër. Pse qenkan mashtrues, përse? Si mund të jem unë i interesuar që ai të dëmtohet në një pikë që s’përdoret, ai është një lule që nuk këputet, nga ana e politikës, gjithmonë. Kjo nuk zgjidhet duke me sharë mua”, tha Rama.

Top Channel