Polonia dhe Hungaria i vunë veton planit financiar të BE-së deri në vitin 2027 dhe paketës së ndihmës për koronavirusin të lidhur me të. Në këtë mënyrë, bllokohet miratimi i lëvrimit të ndihmave miliarda euroshe të bllokut europian për pandeminë.
Në shenjë proteste kundër një procedure të re të BE për ndëshkimin e shkeljeve në sundimin e ligjit, të dyja këto vende penguan që procesi i vendimmarrjes politike të vazhdojë siç ishte planifikuar. Kjo u konfirmua nga disa diplomatë për agjensinë gjermane të lajmeve DPA.
Për miratimin e buxhetit kërkohet votë unanime nga të 27 vendet anëtare. I prekur nga vetoja, përveç ndihmës së planifikuar të rindërtimit për koronavirusin, deri në 750 miliardë euro, është edhe buxheti afatgjatë i BE. Për shtatë vitet e ardhshme ai përfshin fonde që arrijnë në gati 1.1 bilion euro dhe financon mes të tjerash grante për bujqësinë e programe kërkimore.
BE hyn kështu edhe një herë në një krizë serioze politike ndërkohë që është në mesin e një krize, asaj të koronavirusit. Sipas diplomatëve, kancelarja gjermane Angela Merkel, Presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel dhe Presidentja e Komisionit të BE, Ursula von der Leyen tani duhet të diskutojnë se si të veprohet.
Mosmarrëveshja mund të bëhet objekt i një video-konference të krerëve të shteteve dhe qeverive e planifikuar për të enjten. Po të mos miratohet paketa financiare, BE do të ketë vetëm një buxhet emergjent duke nisur nga viti i ardhshëm. Përveç kësaj, nuk mund të livrohen ndihmat për Covid-19, me të cilat synohet të shpëtohen vende si Italia dhe Spanja nga kolapsi ekonomik.
Top Channel