Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një bisedë telefonike me Ministren e Jashtme të Norvegjisë, Ine Marie Eriksen Søreide.

Diskutimi mes homologëve u ndal tek dialogu Kosovë-Serbi, si një çështje kyçe e sigurisë dhe zhvillimit në Ballkanin Perëndimor, për të cilin Kryediplomati Cakaj theksoi se e vetmja marrëveshje e qëndrueshme është marrëveshja që përmban njohjen e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë.

Më tej, Cakaj i shprehu mirënjohjen ministres Eriksen Søreide për mbështetjen e dhënë nga Norvegjia pas tërmetit dhe kundër COVID-19, e gjithashtu për ndihmën financiare për RYCO dhe qasjen parimore lidhur me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Për më tepër, ministrat vlerësuan pozitivisht bashkëpunimin në kuadër të OSBE-së dhe biseduan për përgatitjen e takimit virtual të Ministrave të Jashtëm të vendeve pjesëmarrëse në dhjetor. Për këtë, Cakaj shprehu falënderimet ndaj Norvegjisë për mbështetjen e vazhdueshme politike dhe teknike për Shqipërinë, si Kryesi e Radhës e OSBE-së.

Shqipëria dhe Norvegjia kanë këmbyer mbështetjet për kandidaturat e tyre në Këshillin e Sigurimit. Lidhur me këtë çështje, homologët u pajtuan për të thelluar bashkëpunimin teknik mes dy vendeve edhe në kuadër të kësaj ndërmarrjeje madhore.

“Mirënjohës ndaj Norvegjisë për punën e vyer, qasjen aktive e mbështetjen e vazhdueshme dhënë Shqipërisë e Ballkanit Perëndimor.” – përfundoi Cakaj, reagimin e tij në facebook, sa i përket telefonatës së zhvilluar me homologen norvegjeze.

Top Channel