Forcat në rajonin verior Tigray të Etiopisë kanë qëlluar me raketa në aeroportet në një shtet fqinj, ndërsa konflikti i tyre me qeverinë po rritet. Fronti Çlirimtar i Popullit të Tigray (TPLF), i cili kontrollon Tigray, tha se kishte shënjestruar dy vendet në shtetin Amhara dhe paralajmëroi për sulme të mëtejshme.
Tensionet midis qeverisë së Etiopisë dhe TPLF janë përshkallëzuar në përleshje ushtarake në muajin e kaluar. Amnesty International ka thënë gjatë javës se dhjetëra persona janë “masakruar” në rajonin Tigray të Etiopisë dhe dëshmitarët kanë fajësuar për këto vrasje, forcat që mbështeten nga një parti lokale që është në pushtet, që po luftojnë me qeverinë federale.
Kryeministri Abiy Ahmed ka akuzuar forcat besnike ndaj udhëheqësve të Tigray për kryerjen e vrasjeve masive, ndërsa TPLF ka mohuar përfshirjen. Abiy urdhëroi një operacion ushtarak kundër TPLF në fillim të këtij muaji pasi ai i akuzoi ata për sulmimin e një kampi ushtarak. Që nga ajo kohë ka pasur një numër përplasjesh dhe sulmesh ajrore në rajon. Luftimet kanë detyruar të paktën 17,000 civilë të kalojnë kufirin me Sudanin, sipas Kombeve të Bashkuara.
Marrja e informacionit të verifikuar në mënyrë të pavarur në lidhje me situatën në Tigray është e vështirë, sepse linjat telefonike dhe shërbimet e internetit janë të prishura. TPLF dominoi jetën ushtarake dhe politike të Etiopisë për dekada me radhë para se Abiy të merrte detyrën më 2018 dhe të fillonte një program të reformave. Vitin e kaluar, Abiy shpërndau koalicionin qeverisës, të përbërë nga disa parti rajonale me bazë etnike dhe i bashkoi ato në një parti të vetme, kombëtare, Partinë e Prosperitetit, por, TPLF nuk pranoi të bashkohej./REL
Top Channel